13 Prill, 2020 - 5:00 pm
Reperi 39-vjeçar, Pitbull, e ka publikuar këngën e re me titull “I Believe That We Will Win”, ku ai i këndon shpresës se gjithçka do të bëhet mirë pas kësaj pandemie globale të koronavirusit.
Teksi i këngës i referohet anëve negative që i sjell frika, shpresës që gjithçka do të bëhet mirë dhe besimit në fuqinë e njerëzve, për t’u përballur me këtë sëmundje vdekjeprurëse, transmeton Koha.
Pitbull, po ashtu ka bërë të ditur se dëshiron që fansat e tij ta xhirojnë veten duke vallëzuar me këtë këngë, të cilat më pas do t’i përfshijë në videoklip.
“Ne besojmë se do ta tejkalojmë këtë situatë. Po u bëjmë thirrje të gjithë studentëve, punëtorëve shëndetësor, prindërve, gjyshërve dhe gjithë njerëzve anembanë botës, që të bëheni pjesë e videoklipit të himnit më të ri nga Pitbull. Të gjitha të ardhurat e fituara nga ky projekt, shkojnë për organizata të ndryshme bamirëse,” shkruhej në një komunikatë zyrtare të publikuar në rrjetet sociale.
Pitbull gjithashtu do të jetë pjesë e festivalit virtual, “Triller Fest”, i cili ka për qëllim të mbledh fonde dedikuar betejës me koronavirusin.
Pjesë e kësaj ngjarjeje do të jenë edhe yje të tjerë të muzikës si: Snoop Dogg, Wyclef Jean, Don Diablo, Ruby Rose, Paris Hilton dhe 100 artistë të tjerë të cilët i janë bashkuar kësaj iniciative, që ka për qëllim të mbledh të holla për organizatat, “Music Cares”, “No Kid Hungry” dhe të tjerë.