Pjetër Gaci, violonisti i madh shkodran që jetoi në varfëri pa pasur të kursyera as paratë e varrimit të tij

9 Tetor, 2020 - 4:40 pm

Pjetër Gaci ishte kompozitor shkodran, violinist dhe pedagog i muzikës klasike. Ishte pedagog në Liceun Artistik dhe më pas në Institutin e Lartë të Arteve. Rrugën e artit e filloi si violinist dhe u bë themeluesi i muzikës violinistike shqiptare. Arriti maja me kompozimin e këngës, si te “Për ty atdhe” dhe “Gryka e Kaçanikut”.

Mirëpo, si shumica e muzikantëve e artistëve në përgjithësi, ai jetoi në varfëri.

Në vijim, KultPlus ju sjell librezën e pensionit të këtij artisti të madh, të publikuar nga Pjetër Logoreci në rrjetin social Facebook.

‘Libreza e pensionit e virtuozit t’violinës shqiptare Pjetër Gaci, i cili si t’gjithë gjenitë e muzikës, jetoj n’varfni me një pension minimal (8800 leke). Edhe pse ky gjigand i la atdheut një trashigimi t’pa çmueshme artistike, vdiq pa pasun t’kursyeme as paret për varrimin e tij’, ka shkruar Logoreci në mbishkrimin e fotografisë së publikuar.

Në vitin 1967, bëhet drejtor i cirkut të Tiranës, i Estradës dhe i Teatrit të Kukullave të qytetit. Në vitin 1970, është kompozitor në krijimtari të lirë dhe pas vitit 1976 vendoset përfundimisht në Shkodër, ku krahas kompozimit u për-kujdes edhe për klasën e violinës në shkollën e mesme artistike “P.Jakova” të këtij qyteti.

Ai ka meritën të ketë kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptarë, të parën baladë për violinë dhe piano, si dhe të jetë anëtar i Trios së parë instrumentale (pranë TOB, 1956). Prirja kryesore në krijimtarinë e tij do të mbetet muzika vokale, në të cilën ka lënë shembuj të paharruar veprash që nga kënga e deri tek opera, si opera “Toka jonë”, “Përtej mjegullës”, kantata “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, “Për ty Atdhe” / KultPlus.com

Të ngjajshme