Pranvera Hoxha dhe Visar Kuqi bashkojnë muzikalitetin në Festivalin DAM

31 Mars, 2018 - 2:17 pm

Alberina Haxhijaj

Pianistja Pranvera Hoxha ka sjellë mbrëmë, në kuadër të edicionit të 13-të të Festivalit DAM, një program të bukur pianistik, e që brenda tij barti mesazhin e sivjetshëm të këtij festivali.

Ajo duke zgjedhur kompozitorët spanjollë solli krijime të kompozuara gjatë Luftës së Parë Botërore, e që nuk dëgjohen shpesh në Prishtinë. Në dy vepra muzikore pianistja Hoxha u shoqërua nga violinisti Visar Kuçi. Kjo dyshe solli një interpretim mjaft të matur të veprave të kompozitorit Pablo De Sarasate, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, shkruan KultPlus.

Pianistja Pranvera Hoxha tregoi për KultPlus se e vlerëson shumë faktin se Festivali DAM vazhdon të u japë hapësirë artistëve të rinj dhe atyre në formim.
“E veçanta e këtij recitali është se unë kam përzgjedhur me luajt vetëm muzikë spanjolle nga dy kompozitorë: Enrique Granados dhe Manuel De Falla. Kjo është e veçantë pasi zakonisht ne instrumentistët kur mbajmë koncerte recitale jemi mësuar të sjellim vepra nga epoka të ndryshme të historisë muzikore. Në këtë rast të gjitha vepra janë kompozuar nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX. Kjo është lidhur shumë bukur edhe me temën që e ka në këtë edicion Festivali DAM”, tha Hoxha.

Festivali DAM këtë edicion do të sjellë vepra që për burim inspirimi kanë pasur luftën ose janë krijuar gjatë luftërave. Ky koncept vjen si thirrje për paqe në kohën kur ka shumë vatra lufte në botë dhe në kohën kur pavarësisht se Kosova ka kaluar një luftë dy dekada më parë, qytetarët e saj vazhdojnë t’i bartin pasojat në forma e manifestime të ndryshme. Për DAM-in këtë vit, paqja duhet të mbizotërojë përgjithmonë.

“Një pjesë e konsiderueshme e veprave që unë kam luajtur janë kompozuar pikërisht gjatë Luftës së Parë Botërore. Për njerëzit besoj që kjo ka qenë interesant edhe për arsye se kjo muzikë luhet shumë pak te ne, këtë e kam vënë re edhe si pedagoge e muzikës. Prandaj përmes këtij recitali përveç që i kam argëtuar njerëzit me muzikën spanjolle kam sjellë edhe më shumë informacion për këto vepra”, tregoi pianistja Pranvera Hoxha.

Gjatë këtij recitali u luajtën edhe dy vepra të kompozitorit Pablo De Sarasate. Për të sjellë këto pjesë pianistes Pranvera Hoxha iu bashkangjit në skenë edhe violinisti Visar Kuçi.
“DAM-i është një prej festivale më të mira që i kemi dhe që gjithmonë sjellë risi dhe njerëz shumë të veçantë kështu që është shumë e rëndësishme që ky festival të vazhdojë. Unë edhe nëse nuk kam marrë pjesë me performanca kam marrë pjesë më forma të ndryshme në këtë festival edhe pse zakonisht luaj diçka, si sonte ku u paraqita me dy pika si mysafir. Më pëlqen që edhe sivjet ka shumë laramani dhe netët janë të ndryshme, komplet prej njëra-tjetrës, dhe pres me padurim që t’i dëgjoj këto koncerte”, u shpreh ai për KultPlus. / KultPlus.com

Të ngjajshme