Prishtina nën magjinë e yllit Shawn Mendes, spektakël në natën e dytë të Sunny Hill

3 Gusht, 2025 - 6:40 pm

Flonja Haxhaj

Në natën e dytë të Sunny Hill Festival, Prishtina vazhdoi të jetë një skenë ku arti dhe muzika bashkohen për të krijuar një përvojë që i kalon kufijtë e argëtimit. Në qendër të kësaj nate qëndroi një emër i dashur për publikun ndërkombëtar, këngëtari Shawn Mendes, shkruan KultPlus.

Në një atmosferë ku performuan emra të njohur si Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainte, Pint, Ledri dhe Headie One, skena kulmoi me ardhjen e kantautorit kanadez, i cili e përjetoi Prishtinën për herë të parë jo vetëm si një vend koncertesh, por si një hapësirë emocionale ku ndjenjat artistike përqafohen me një publik që i këndon njëzëri këngët e tij.

Mendes e nisi performancën me “There’s Nothing Holding Me Back”, duke vendosur që në fillim një ton energjik. Vazhdimi i koncertit ndërtoi një imazh të bukur emocional, me këngë si “Wonder”, “Treat You Better” dhe “Monster”, që përçuan ndjenja të brishta përmes një interpretimi të ndjerë.

Në një moment të koncertit, Shawn Mendes foli përpara publikut duke i falënderuar për këtë ndjesi që i dhanë.

Të jesh muzikant do të thotë të vizitosh shumë vende dhe të takosh shumë njerëz, kur erdha këtu isha pafundësisht i emocionuar të shoh gjithë këta njerez, jemi shumë të lumtur qe jemi këtu”, u shpreh Mendes teksa falënderoi publikun e Prishtinës për këtë pritje.

Në çdo varg dhe çdo notë, publiku dukej i përfshirë në një bashkëbisedim të heshtur me artistin. Këngët “Lost in Japan”, “Heart of Gold”, “Isn’t That Enough” dhe “It’ll Be Okay” sollën një atmosferë poetike, duke e kthyer koncertin në një udhëtim të brendshëm e intim për të pranishmit.

Një moment i veçantë ishte interpretimi i “Señorita”, që krijoi një ndjesi të ëmbël romantike, ndërsa koncerti vazhdoi me “Ruin”, “Never Be Alone”, “Mercy”, “Youth” dhe “Stitches”.

Mendes përfundoi mes emocionesh përvojën e tij të parë në Prishtinë me hitin e tij ‘In my blood’.

Ndërkaq sonte, në përmbylljen e Sunny Hill Festival, publiku do të ketë mundësinë të shijojë performancat e artistëve, Deezy, Bess, Adrian Berisha, MyGal, Edgar Kerry, Tsha, ndërkaq do të përmbyllet fuqishëm me artistin kryesor Anyma./KultPlus.com

Të ngjajshme