Programi muzikor ‘Akademia Teatrale’, TOB hap Thirrjen e Tretë për Masterclass- Bashkëpunues

6 Shtator, 2023 - 11:10 pm

Teatri i Operës dhe Baletit hap thirrjen e tretë për Masterclass- Bashkëpunues, në programin profesional muzikor “Akademia Teatrale”, që synon evidentimin, promovimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në disiplinën lirike.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shkroi në rrjete sociale se, nën kujdesin e veçantë dhe mjeshtëror të sopranos ikonike, Ermonela Jaho, e cila hodhi gurin e parë të themelit të këtij programi, nga data 2– 6 tetor, artistët do të kenë mundësinë të trajnohen plotësisht pa pagesë, rreth teknikës fizike të këndimit, asaj të interpretimit e këndimit, përgatitjes psikologjke të repertorit dhe ndërtimit të një roli.

Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më datë 25 shtator, për gjithkënd që e ndjen veten të vendosur teknikisht dhe do të përforcojë aftësitë e tyre, nëpërmjet metodave të reja. Mjafton të dërgoni CV-në, video me performancëne vet, materialin me të cilin do të punojë dhe formularin e aplikimit (të cilat gjenden në website-in zyrtar të TKOB-së) në email-in [email protected].

Margariti ftoi të gjithë të interesuarit për të qenë dëgjues të këtij masterclass-i bashkëpunues, pa dallim moshe a profesioni, si dhe mësuesit /pedagogët e interesuar për të bashkëpunuar në ndërtimin e një plani të përbashkët pune me nxënësit /studentët, se janë të mirëpritur të kontaktojnë./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme