Project Synergy, dy kompozitorë shqiptarë në turin e madh ballkanik të muzikës klasike

6 Maj, 2023 - 10:00 pm

 Veprat e dy kompozitorëve të përzgjedhur nga Shqipëria, Jetmir Zaganjori dhe Kris Sopiqoti u vlerësuan nga të gjithë kolegët dhe të pranishmit gjatë provave përgatitore të projektit Synergy, pjesë e Creative Europe, që u zhvillua këtë javë në Kotor.

Shqipëria përfaqësohet në projekt nga Qendra VOX Baroque, Jusuf Beshiri dhe Denis Bizhga ndërsa veprat janë shkruar enkas për projektin nga kompozitorët Jetmir Zaganjori me titullin “Anosmia” dhe nga Kris Sopiqoti me titullin “Noise”. Të dy kompozimet janë për kuartet harqesh.

Në Kotor u mblodhën artistë dhe kompozitorë për përgatitjen e 12 koncerteve që do të prezantohen në të gjitha qytetet e 6 shteteve pjesëmarrëse të projektit Project Synergy: Kotor, Dubrovnik, Trebinje, Tirana, Prishtina, Beograd dhe Ljubljana.

Koordinatori i projektit, Denis Bizhga solli momente nga ky event duke theksuar se u mbajtën dhe diskutime publike rreth përvojave të 12 kompozitorëve dhe 18 instrumentistëve, ku veprat e dy kompozitorëve të përzgjedhur nga Shqipëria, Jetmir Zaganjori dhe Kris Sopiqoti janë vlerësuar nga të gjithë kolegët.

“Ishte një kënaqësi që dhe muzikanti i mirënjohur Egli Prifti me duon e tij, ishte pjesë e muzikantëve të përzgjedhur për të interpretuar veprat e kompozitorëve në turin e koncerteve që do të zhvillohet në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Bizhga në një postim në rrjetet sociale.

Projekti Synergy është pjesë e Creative Europe dhe bashkon festivalet, kompozitorët, artistët e rinj dhe hulumtuesit e menaxherët e rinj të kulturës, shumë të nevojshem për të ardhmen e Industrisë Kulturore si fushë e vecantë dhe sfiduese në rajon.

Finalja e madhe e eventit në Kotor ishte konferenca publike në të cilën kompozitorët prezantuan veten dhe ndanë përvojat e tyre në lidhje me kompozimin e veprave, procesin në tërësi dhe qasjen e tyre në lidhje me ide të caktuara.

Po ashtu, pati edhe diskutime në lidhje me publikimin e Udhërrëfyesit të produksionit të muzikës klasike, që është rezultat i 6 trajnimeve të mbajtura në 3 vjet në 6 vende të ndryshme të projektit.

Ky udhërrëfyes do të jetë i pari i llojit të vet në rajon dhe do të përmbledhë qasjet e produksionit të muzikës klasike në Ballkanin Perëndimor.

Java e provave në Kotor ishte dhe përgatitja finale për turin e madh veror të Festivalit, gjatë të cilit 12 kompozime të reja të shkruara si pjesë e projektit, do të kenë premierën./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme