‘Pse sytë e nënës janë mbuluar me lot, ti pse vallë na ke harruar o Zot’ (VIDEO)

23 Nëntor, 2021 - 4:19 pm

Në vitin 1998 veç sa kishte filluar lufta në Kosovë, periudhë kjo e vështirë për shqiptarët që po përgatiteshin për më të keqen, për regjimin e kobshëm serb.

Në Shqipëri, një këngëtare nga Kosova do të këndonte po këtë vit për krismat, për luftën, për vajzat e reja me vellot e zisë, për mizoritë.

Alberije Hadërgjonaj, në vitin 1998 triumfoi në Festivalin e Këngës në TVSH me këngën ‘Mirësia dhe e vërteta’, himn i luftës në Kosovë. Albërija sikur po i bënte thirrje Zotit të zgjohej nga gjumi, dhe botës po i kërkonte të intervenonte që kosovarët të mos vdisnin të gjithë.

Pse sytë e nënës janë mbuluar me lotë
Ti pse vallë na ke harruar o zot
Pse toka ime e bekuar nuk çel
Pse dielli rri kaq i menduar kur del.

Në vend të këngëve veç krisma dëgjojmë
Vajza të reja me vello zije shikojmë
Fëmijtë e vegjël rrinë të menduar si pleq
Po kush vallë na ka ngatërruar kaq keq.

Zotin nga gjumi unë dua ta zgjoj
Zemër lënduar për ju sot këndoj
Dua t’i lutem me përgjërim
Të na çlirojë, të na çliroj nga ky mallkim.

Të sjellim dritën e mirësisë
Të ndezim zjarrin e dashurisë
Si trëndafil të çeli jeta
Nga mirësia dhe e vërteta.

Alberija u bë e para këngëtare nga Kosova që e fitoi festivalin, në edicionin e tij të 37-të.

Teksti i këngës flet shumë për gjendjen e asokohshme shpirtërore dhe fizike të shqiptarëve të Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme