Publikohet dokumentari “Esat Bicurri në përjetësi”, sjell portretin jetësor të tij (VIDEO)

29 Dhjetor, 2023 - 11:01 am

Në dimensionin e tingujve shqiptarë, një emër i veçantë, si një melodi e paharrueshme, vazhdon të mbetët gjallë në zemrat e publikut.

Ky është Esat Bicurri, një prej zërave më të mirë shqiptar, një zbulim për festivalin “Akordet e Kosovës” i cili shquhej jo vetëm për zërin por edhe për formimin e tij si njeri me vlera të rralla, shkruan KultPlus.

Për jetën dhe veprën e tij, tashmë me shumë meritë është përgatitur një dokumentar i titulluar “Esat Bicurri në përjetësi” i cili është dhënë mbrëmë premierë në Radio Televizionin e Kosovës.

Ky dokumentar shpërfaq një portret të shkëlqyeshëm të këngëtarit, dhe krijon një udhëtim të ndjeshëm në karrierën e tij muzikore.

Përgatitur nga pikëpamja e etnomuzikologut Krenar Doli, dhe drejtuar nga regjisori Robert Bacaj, ky projekt është vizualizuar nga sytë e operatorit Blerim Kokolli.

Në këtë dokumentar, zërat e miqve, kolegëve dhe të afërmve të Esat Bicurrit përshkruajnë këtë personalitet të veçantë. Ndër ta, këngëtari i njohur Sedat Kuçi dhe Pranvera Badiviku.

Esat Bicurri vazhdon të mbetët një ndër këngëtarët më të dashur për publikun dhe këngët e tij konsiderohen perla të muzikës popullore shqiptare dhe vazhdojnë të dëgjohen e vlerësohen ende.
Kujt nuk i kujtohet kënga fituese në “Akordet e Kosovës” – “E kujtoj atë takim?”, por edhe këngët e tjera, si: “Eja e bardha verë”, “Një lulishte me trëndafila”, “S’ka më të bukur se pranvera”, e shumë të tjera.
Fatkeqësisht, ai është ekzekutuar nga forcat paramilitare serbe më 7 maj të 1999 së bashku me shumë bashkëqytetarë të tjerë, ndërsa kufoma e tij u gjet dhe u rivendos vetëm në vitin 2004.

Ministria e Kulturës së Kosovës krijoi edhe një çmim kombëtar të quajtur Esat Bicurri për përsosmëri në muzikë popullore dhe urbane.

Ai gjithashtu botoi dy libra të cilat quheshin: “Një këllëf me ar ta çova” dhe tjera, “Ahengjet Gjakovare në shekuj”.

Por përmes këtij dokumentari, ju do të mësonin shumë më shumë për jetën dhe veprën e kësaj figure të shquar të muzikës shqiptare. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=PyrJyG90XQo

Të ngjajshme