21 Gusht, 2025 - 6:20 pm
Sopranoja Inva Mula u ngjit në skenën e Amfiteatrit antik në Durrës, ku zhvilloi koncertin “Meloditë e Mesdheut”.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga ky koncert teksa theksoi në një postim në rrjetet sociale se, “sopranoja shqiptare Inva Mula së bashku me mjeshtrin e pianos Ekland Hasa dhe virtuozin e violonçelit Redi Hasa, sollën një performancë të jashtëzakonshme në Amfiteatrin e lashtë të Durrësit, nën jehonën e historisë, tingujt e melodive më të bukura mesdhetare”.
Sopranoja shqiptare me famë botërore Inva Mula, ngjitej për herë të parë në skenën e Amfiteatrit antik. Ajo kishte në krah instrumentistët virtuozë, vëllezërit Ekland Hasa në piano dhe Redi Hasa në violonçel, si dhe korin e fëmijëve “Okarina”. Repertori dhe çdo detaj ishte menduar në harmoni me vendin dhe qytetin ku u mbajt koncerti.
Instrumentisti i njohur Ekland Hasa ka bërë dhe orkestrimin e shumë këngëve që vijnë nga Turqia, Italia, Spanja, Kroacia
Publiku, mes qytetarëve dhe turistëve të shumtë, përjetoi një udhëtim muzikor në brigjet e Mesdheut, nën tingujt e melodive më të bukura të këtij rajoni. Një ngjarje artistike që do të mbetet gjatë në kujtesën e të pranishmëve, duke e kthyer Durrësin në një skenë të vërtetë emocioni dhe kulture./atsh/KultPlus.com