ReMusica: “Guxo të dashurosh” për edicionin e 18-të të festivalit

20 Maj, 2019 - 5:54 pm

Me programin e sivjemë, Edicioni i 18-të i festivalit ReMusica, do të ketë një shtrirje të gjërë, në prezentimin e ansambleve të ndryshme kamertale dhe solistëve eminentë, duke synuar që programi i prezantuar, të bëhet urë lidhëse në mes tendencave novatore që shfaqen në skenën koncertore europiane dhe publikut tonë prishtinas, një publikë me përvojë jo të gjatë, ndonëse gjithmonë kureshtare dhe dashamirëse.

Edicionin e 18 të ReMusicas këtë vit do ta hapë trioja zagrebase Guitar Trio Elogio, formacion kitarash, shumë i respektuar në skenën koncertore kroate. Trion e përbëjnë instrumentistë, Tomisllav Vukshiq, Pedro Ribeiro Rodrigues, të udhëhequr nga kitaristi kosovar me famë botërore Petrit Çeku.

Mysafir tjetër me renome i këtij edicioni,do të jetë edhe virtuozi, në instrumentin e tubës, Thomas Leleu, pamëdyshje, sot paraqet atraksion të vërtet në skenën franceze dh europiane, në përgjithësi, në një anë për virtuozitetin e tij të jashtëzakonshëm, si edhe për faktin se ai luan në një instrument që, deri vonë, nuk është konsideruar instrument solistik. Ndër tjera, Lelu,është fitues i çmimit prestigjioz Victoire de la Musique (French Grammy Awards). Në vazhdim të festivalit, Duoja atraktive nga Austria,Vira Zhuk dhe Mariam Vardzelashvili do të sjellin kartolinën nga Austria dhe do te jenë pjesë e koncertit të titulluar « Nga Austria me Dashuri «. Koncertet me ansamble dhe autorë më eminent shqiptarë nga Tirana e Prishtina, si gjithmonë, do të zënë vend të rëndësishëm në programacionin e sivjemë. Po përmendim ansamblin 3x Quartett | OPERA KUARTET, i përbërë nga 6 instrumentistë të Orkestrës së Teatrit Operas dhe Baletit Tiranës dhe pedagogë të Universitetit të Arteve nëTiranë. Merita Rexha Tershana & Vikena Kamenica, solistet nga Shqipëria do të sjellin projektin e vecantë, veprën kulte të lidit gjerman në formën integrale të saj, « Udhëtimi dimëror » të Franz Schubert. Thellësinë poetike të kësaj kryevepre të muzikës romantike do të na bëj edhe më të afërt, poezia që do të shoqëroj muzikën e Shubertit.

Koncertet tematike të festivalit, ReMusica Junior dhe Nata Multimedia/Akusmatike edhe këtë vit synojnë promovimin e muzikës akusmatike dhe botës tingullore të saj. Koncerti i muzikës akusmatike në oktofoni dhe Video Performancë, e sjellë kompozitori, sound – designer dhe videografi, Clement Parmentier, nga Belgjika përmes 8 altoparlantëve dhe spacializimin e veprave të cilat ekspolorojnë strukturat dhe shtresat tingullore.

Krahas koncerteve të mbremjës, si gjithmonë ReMusica do të sjellë segmente tjera dhe programe shtesë, si ‘ReMusica Edukative’, ku publiku në mënyrë të drejtpërdrejtë do të jetë afër me muzikën, interpretin, instrumentin dhe kompozitorin. Publiku, i përbërë prej të të gjitha moshave, do ta ketë mundësinë të shijojë koncertet e shkurtëra dedikuar instrumenteve të veçanta.

Në pasurimin programor të festivalit, si edhe në vitet e mëparshme, kontribut të çmueshëm do të japin dy koncertet e ansambleve tona me renome :Kori i Filharmonisë (30 maj) dhe Orkestra Simfonike e Filharmonisë me koncertin e saj përmbyllës të festivalit (2 qershor).

Përpos agjendës së mbushur koncertale, gjatë ReMusicas nuk do të mungojnë masterklaset, ligjëratat si dhe tribuna muzikologjike. Duke vazhduar traditën e shenimit të përvjetorëve, Remusica sivjet shenon 110 vjetorin e lindjes së pionerit të muzikës kosovare – Lorenc Antoni. Njëkohësisht do të shenohet 70 vjetori i lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit Rafet Rudi./KultPlus.com

Të ngjajshme