Revista amerikan rendit albumin e kompozitorit shqiptar në 10-të më të mirët e vitit

17 Tetor, 2020 - 1:57 pm

Albumi i kompozitorit shqiptar Thomas Simaku “Solos & Duos” që doli në treg nga shtëpia diskografike “Naxos Records” më 2019, është zgjedhur në dhjetëshen e albumeve më të mirë të vitit nga kritiku James H. North në renditjen e revistës prestigjoze “Fanfare” në Amerikë.

Në këtë listë përfshihen albume me vepra nga Beethoven dhe Bartok, si dhe dy kompozitorë të tjerë të shekullit XXI nga Hollanda dhe SHBA.

Duke e renditur kompozitorin shqiptar ndër kompozitorët e mëdhenj të shekulli XXI, kritiku amerikan shkruan: “Secila vepër e kompozitorit shqiptaro- anglez Thoma Simaku është mahnitëse.

Ky është albumi i tij i dytë në Naxos, dhe kjo është hera e dytë që ai zgjidhet në listën time. Një numër veprash të tjera që gjenden në YouTube dhe gjetiu janë po aq stimuluese”.

Të katër instrumentistët anglezë: Peter Sheppard-Skaerved, Roderick Chadëick, Joseph Houston dhe Chris Orton kanë një aktivitet të gjerë ndërkombetar.

Midis veprave të tjera, në këtë album përfshihen dhe kënga arbëreshe “Moj e Bukura More” në versionin për violinë& piano, si dhe vepra Soliloquy V – Flauto Acerbo e cila fitoi çmimin ‘Kompozitorit i Vitit’ nga Akademia e Kompozitorëve Britanike (BASCA), të cilën juria e cilësoi si e cilësuar nga juria si vizionare dhe krejtësisht origjinale.

Muzika e kompozitorit shqiptar është ekzekutuar në mbarë Evropën, në SHBA dhe më gjerë për tre dekada, dhe është vlerësuar me një seri çmimesh ndërkombëtare për cilësitë e saj ekspresive dhe mpleksjen e veçantë të intensitetit muzikor dhe modernizmit.

Ndër veprat kryesore përfshihen Koncerti për Orkestër Simfonike që fitoi çmimin “Lutosławski Prize” më 2013 në konkursin ndërkombëtar i shpallur me rastin e 100 vjetorit të kompozitorit polak të shekullit XX, vepra për Orkestër Harqesh The Scream (2017) e bazuar në pikturën e famshme të Edvard Munch; si dhe një cikël veprash virtuoze për instrumenta të ndryshëm solistikë. / KultPlus.com

Të ngjajshme