Rexhep Munishi, laureat i çmimit të muzikës “Niketë Dardani”

24 Maj, 2019 - 2:02 pm

Rexhep Munishi është fitues i çmimit të madh në fushën e muzikës “Niketë Dardani”, çmim i cili është ndarë për vepër jetësore,  shkruan KultPlus.

Ky çmim i është ndarë sot në ambientet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga ministri i këtij institucioni Kujtim Gashi.

Ministri Gashi falënderoi komunitetin artistik për aktivitetet e tyre, me sukseset e të cilëve po bëjnë bujë jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë Kosovës.

“Jemi të vetëdijshëm që me këto çmime apo shpërblime nuk e shpaguajmë mundin e krijuesve, megjithatë është një shenjë falënderimi për krijimin dhe kontributin e juaj. Pa dyshim që artistët tanë janë ambasadorët më të mirë të shtetit”,  u shpreh Gashi.

Ndërsa etnomuzikologu Rexhep Munishi, njëherit edhe fituesi i çmimit tha se ky çmim është shumë i rëndësishëm për të duke  falëndeuar të gjithë ata që e propozuan si dhe jurinë të cilët çmuan veprimtarinë e tij dhe e nderuan me ketë çmim.

“Për gjysmë shekulli sa kam qenë aktiv, jam marrë me studimin, hulumtimin dhe arsimin në fushën e etnomuzikologjisë. Jam përpjekur që trashëgiminë etnomuzikore shqiptare ta hulumtoj, ta ekitoj dhe ta studioj në mënyrë që ta afirmoj edhe në qarqe jo shqiptare. Nuk thuhet kot se gjuha dhe muzika janë segmentet identifikuese të një kombi prandaj të lumtë ata të cilët për profesion e zgjedhin etnomuzikologjinë. Unë isha me fat, ndoshta i kam dhënë pak por megjithatë kam mësuar shumë” – tha Munishi.   

Ndërsa çmimi për veprën më të mirë të kompozuar iu nda Ardian Halimit për veprën “Inside-Out”

Në këtë ceremoni u ndan këto çmime që ndahen tash e sa vite nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, ku këtë vit janë ndarë me përbërje të jurisë: Zeqirja Ballata, Baki Jashari e Dafina Zeqiri Nushi./KultPlus.com

Të ngjajshme