Rikthehet festivali i muzikës baroke në Korçë

4 Korrik, 2021 - 9:29 pm

Festivali ndërkombëtar i muzikës baroke trokiti në qytetin e Korçës me edicionin e tij të tetë.

Artistë të mirënjohur vendas dhe flautistja italiane Valeria Desideri, teksa performuan në klaviçembal, violinë e violinçel dhuruan për publikun emocion nën panoramën elegante të barokut.

Jo rastësisht festivali i muzikës baroke u mbajt në Muzeun Arkeologjik të Korçës, një trashëgimi kulturore kombëtare që lidhet ngushtësisht me synimet e këtij festivali.

“Korça është një destinacion dhe ne vijmë çdo vit duke sjellë instrumentist nga e gjithë bota”, tha themeluesi i festivalit, Jusuf Beshiri.

“Është shumë e rëndësishme për të identifikuar jo vetëm këto vende, por edhe për ti zbuluar publikut muzikën e vjetër baroke. Kemi sjellë muzikë baroke Italiane dhe për të ndarë për publikun ndjeshmërinë e kësaj periudhe”, tregoi violonçelisti, Arben Skënderi.

Ky organizim i muzikës së vjetër VOX BAROQUE i kushtohet tërësisht repertorit barok duke kërkuar gjithmonë qasje të reja të kësaj muzike elitare.

Tingujt e muzikës klasike çdo vit po tërheqin interesin e  artdashësve korçarë, por edhe turistëve, të cilët mbrëmë shijuan performancat e mrekullueshme te artistëve. Ky rrugëtim muzikor veç tingujve dhe elegancës muzikore promovon më së miri vlerat e trashëgimisë kulturore. /shqiptarja/ KultPlus.com

Të ngjajshme