Rita Ora prezantuese në “MTV Awards”, Dua Lipa, Loredana e Gjon’s Tears të nominuar

12 Nëntor, 2021 - 11:45 am

Njëra ndër ngjarjet më të mëdha muzikore, MTV Europe Music Awards, do të mbahet më 14 nëntor në Budapest të Hungarisë, ku njëra ndër prezantueset do të jetë edhe këngëtarja me origjinë nga Kosova, Rita Ora, shkruan KultPlus.

Në mbrëmjen kur do të bëhet ndarja e një numri të madh të çmimesh me emra të njohur të skenës evropiane dhe atyre botërore.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Instagram”, Rita Ora ka konfirmuar se do të jetë njëra ndër prezantueset në këtë eveniment.

Artistja tjetër nga Kosova me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, është e nominuar për njërën kategori të çmimeve në këtë mbrëmje ceremoniale.

“Artisti/ja më i/e mirë i/e zhanrit pop”, është kategoria në të cilën Lipa është e nominuar, me emra të njohur nga e gjithë bota siç janë: BTS, Doja Cat, Ed Sheeran, Justin Bieber etj.

Në anën tjetër, “MTV EMA” do të bëjë ndarjen e çmimit për artistin më të mirë të vitit në secilin shtet përkatës evropian.

Muzika nuk ka kufi dhe këtë e kanë dëshmuar më së miri artistët shqiptarë. Gjithnjë e më shumë artistë nga Kosova dhe Shqipëria po shtohen në tregun muzikor ndërkombëtar.

Për shtetin e Zvicrës janë të nominuar dy artistë shqiptarë: Loredana Zefi dhe Gjon Muharremaj./KultPlus.com

Të ngjajshme