Rreze Kryeziu promovoi sot librin ‘Goca e Kaçanikut’

4 Prill, 2018 - 10:01 pm

Alberina Haxhijaj

Rreze Kryeziu, muzikologe, sot ka promovuar në kryeqytet librin “Goca e Kaçanikut”.

Në kuadër të Festivalit DAM, Rrezja erdhi me një krijim të radhës, kësaj radhe të botuar në formë libri.

Opera e parë nacionale në Kosovë, “Goca e Kacanikut”, e kompozuar nga Rauf Dhomi, i ka lënë gjithmonë mbresa muzikologes Rreze Kryeziu. Një arsye për këtë është edhe fakti se pikërisht kjo vepër muzikore ka shërbyer për një studim më të detajuar për temën e saj të diplomës, në nivelin master.

Mirëpo ky punim i cili është cilësuar i guximshëm dhe serioz pikërisht nga mentorja e saj Stefanija Leskova Zelenkovska tashmë është botuar dhe gjendet edhe si libër.

“Mund të konstatoj se autorja Rreze Kryeziu Breznica e ka realizuar këtë libër me përgjegjësi dhe punë të madhe. Me rëndësi të veçantë janë pikëpamjet e argumentuara të saj estetiko-sociologjike për krijimin dhe shfaqjen e veprës operistike, duke parë rëndësinë e problematikës, posaçërisht të rëndësishme për zhvillimin e muzikës operistike dhe vërtetimin për nevojën apo rëndësinë e hapjes së shtëpisë së operës”, sqaroi tutje Stefanija Leskova Zelenkovska e cila i ftoi sidomos të rinjtë që të lexojnë librin pasi që përmban histori dhe fakte interesante të mbledhura.

Rreze Kryeziu Breznica tregoi se ky libër i dedikohet profesorit të saj Engjëll Berisha gjersa u shpreh se do të vazhdojë punën e saj për evidentimin e asaj se çfarë ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodhë në komunitetin artistik në Kosovë.

“Ky libër që është botuar sot është shkruar para nëntë viteve dhe nuk kam dashur ta ndryshoj asnjë fjali. Për nëntë vite çdonjëri nga ne zhvillohet më shumë dhe shpesh herë mbesim të pakënaqur me atë që kemi bërë më herët. Mirëpo kjo isha unë, kaq kisha njohuri dhe aftësi në atë kohë dhe për këtë arsye e kam lënë ashtu siç ka qenë. Duke marrë parasysh se muzikologjia siç e dini është hapur vetëm një herë në kuadër të Fakultetit të Arteve dhe nga ajo herë kam diplomuar unë, nuk ka qenë aspak e lehtë që të vazhdoj udhëtimin tim si muzikologe, sidomos pas humbjes së profesorit tim Engjëll Berishës. Mirëpo sot jam këtu dhe këtë libër ia dedikoj profesorit dhe të rinjve, pra studentëve, duke dashur që kjo të ju shërbejë në të ardhmen”, tha ajo.

Libri shpalosë një rishikim të shkurtër historik mbi operat dhe kushtet e krijimet të tyre duke vënë theksin te opera “Goca e Kaçanikut”. Ky libër shpalos edhe mosekzistimin e kushteve për performancën e zhanrit të operës që është reflektuar negativisht në interesimin e kompozitorëve vendas, e që ka rezultuar me vetëm dy vepra me opus të një kompozitori, të krijuara në vitet 1972 dhe 1984. Pikërisht në këtë kontekst Rrezja bën edhe krahasime me veprat e para operistike dhe me formimin e shtëpive operistike te vendet fqinje.

Gjithashtu libri ofron edhe një pikëpamje mbi biografinë e kompozitorit Rauf Dhomi si dhe një studim pikërisht mbi veprën “Goca e Kaçanikut”. Analiza e veprës bazohet në materialet ekzistuese, partitura dhe ekstrakte të pianos, plus hulumtim të intervistave të realizuara të kompozitorit. / KultPlus.com

Të ngjajshme