Rrugëtimi i Dio Dragajt në “The Voice Kids” të Gjermanisë ndalet në finale

21 Prill, 2019 - 11:28 pm

Dio Dragaj, 14 vjeçari nga Kosova që arriti të prekë finalen në “The Voice Kids” të Gjermanisë, nuk ka arritur të dalë para votuesve.

Ai është eliminuar nga tutorja e tij Lena Meyer Landrut, e cila në mes Dragajt dhe Thapelo, vendosi që me këtë të dytin të synojë të triumfojë nga votat e publikut.

Në natën finale, talenti kosovar vendosi që të paraqitet me këngën “Love someone”. Edhe në natën finale Dio ka shkëlqyer, e siç ka raportuar Koha.net më parë, deri në këtë pikë ai erdhi falë performancave të mrekullueshme të tij.

14-vjeçari, që është edhe i biri i Adnan Dragajt, ish-frontmenit të grupit të njohur “Humus”, në audicionet e fshehta kishte bërë që anëtarë të jurisë edhe të ngriheshin në këmbë duke kërkuar që ai të bëhej pjesë e grupeve të tyre.

Dio garon në këtë format të talenteve tash e 7 muaj.

Rrugëtimi i tij në “The Voice Kids of Germany” ka filluar me fazën përzgjedhëse para komisionit, ku kanë aplikuar mbi 25 fëmijë. Në fazën e parë para publikut në “Audicionet e fshehta” u prezantua me këngën “Ordinary People” të John Legend. Para performancës së tij, atë e befasuan me një video nga vetë këngëtari J. Legend kushtuar Dios. Në fazën e dytë që njihet si “Betejat” u prezantua me këngën “You give me something” të James Morrison, ku me gjithë dy këngëtaret jashtëzakonisht të mira që ishin në betejë me të, ai vazhdoi në fazën e tretë në gjysmëfinale, përsëri me këngën “Ordinary people” të Legend. Këtu në mesin e dy finalisteve Lena Mayer Landrut zgjodhi të parin Dion.

Në mediat gjermano-folëse ka mjaft shkrime dhe komente për ngjyrën e zërit të tij, stilin e këndimit Soul dhe R&B, duke e krahasuar me këngëtarë si Sam Smith, James Arthur./koha.net/ KultPlus.com

Të ngjajshme