Rrugëtimit operistik të Elbenita Kajtazit i shtohet edhe një kontinent tjetër

4 Prill, 2019 - 9:19 pm

Sopranoja kosovare, Elbenita Kajtazi shpejtë e fuqishëm është ngjitur në skenat më të njohura evropiane, shkruan KultPlus.

Kajtazit jo rallë herë i janë besuar rolet më impenjative të repertuarit të muzikës operistike. Tashmë zëri e paraqitja e saj do të rrugëtojnë edhe në një kontinent tjetër.  Muaji maji  i  këtij viti do ta gjejë Kajtazin para publikut të kryeqytetit të Kiliti. Atje Kajtazi do të paraqitet me rolin e Sofias nga Opera Kavialieri i Trëndafilave e kompozitorit Richard Strauss.

“Rrugëtimit tim të deritanishëm operistik i shtohet edhe një vend tjetër, një kontinent tjetër. Një aventurë e re dhe e rëndësishme artistike hedh shtatin e saj përtej oqeanit atlantik drejt kryeqytetit të Kilit Santiago de Chile. Në muajin maj të 2019 unë do të kem mundësinë dhe kënaqësinë e veçantë të këndoj në Teatro Municipal de Santiago de Chile rolin e Sophie nga opera Kavalieri i Trëndafilave( Der Rosenkavalier ) e Richard Strauss.

Datat e shfaqjeve do të jenë 12, 15, 17, 19 qershor 2019”, ka shkruar Kajtazi në postimin e saj.

Elbenita Kajtazi, këtë mundësi ka arritur ta shfrytëzojë falë pasaportës shqiptare, me anë të së cilës mund ta realizojë udhëtimin për në Kili, shtet ky që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, dje ka thënë se ndjehet e lumtur  që tanimë është edhe qytetare e Shqipërisë.

“Dëshiroj të falënderoj me këtë rast të gjithë instancat më të larta të shtetit shqiptar presidentin e Republikës së Shqipërisë shkelqësinë e tij zotërinë, Ilir Meta, ish-ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro-Furxhi. Përfaqësues të të lartë të Ministrisë së Brendshme, Gjendjes Civile dhe Policisë së Shtetit, dy ambasadorët atë të Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj si dhe ambasadorin e Shqipërisë , Artur Kuko dhe nga zemra falënderoj Adem Sallauken nga Ambasada e Kosovës në Shqipëri që bën të mundur marrjen e shtetësisë shqiptare në kohë rekord”, ka shkruar Kajtazi./ KultPlus.com

Të ngjajshme