RTSH nuk e ka paguar Jonida Maliqin e cila përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision

11 Korrik, 2019 - 9:30 am

Këngëtarja Jonida Maliqi, ishte përfaqësuesja e Shqipërisë sivjet në Eurovizion. Por, edhe pse tashmë ka përfunduar festivali, e ajo ishte zgjedhur në dhjetor të vitit të kaluar për ta përfaqësuar shtetin në këtë festival, thotë se ende nuk është paguar.

Në një intervistë në emisionin  “Treshat”, Maliqi u shpreh se RTSH nuk i ka dhënë asnjë para edhe pse ajo ka dalë fituese në festivalin e fundvitit me këngën “”Ktheju tokës”.

“Me sa kam informacion po, kënga fituese paguhet, por ende nuk ma kanë konfirmuar. E kam marrë vesh nga kolegët e mi dhe nga ata që kanë qenë më parë pjesëmarrës. Nuk i kam marrë ato para. Do t’i jap kohë dhe nëse do të jenë, patjetër që do t’i marr”, pohoi Jonida.

Jonia Maliqi, nuk arriti të futet në 10-she të Eurovizionit. Deri më tash pozitën më të mirë në këtë festival e mbanë këngëtarja nga Kosova Rona Nishliu, e cila zuri vendin e pestë me këngën “SUUS”./ Insajderi.com/ KultPlus.com

Të ngjajshme