”Save Ukraine-#Stopwar” koncerti maratonë për Ukrainën

25 Mars, 2022 - 8:45 pm

Zërat e muzikantëve, artistëve, aktivistëve qytetarë, aktorëve, sportistëve dhe vullnetarëve nga e gjithë bota do të bashkohen në një koncert-maratonë ndërkombëtar bamirësie për Ukrainën me temë “Save Ukraine-#Stopwar”, të dielën, më 27 mars.

Maratona dyorëshe do të transmetohet në kanale televizive nga rreth 20 vende të Evropës dhe në mbarë botën, si dhe nga platformat e transmetimit dhe rrjetet sociale.

Mes të ftuarve, do të jenë edhe grupe artistësh ndërkombëtarë si: Fatboy Slim, Within Temptation, Bastille, Submotion Orchestra, BrainStorm, Beissoul & Einius, Salvador Sobral dhe Netta, fituesit e Eurovizionit.

Gjithashtu, pjesëmarrës do të jenë disa nga yjet më të rëndësishëm ukrainas të cilët kanë zgjedhur të japin kontributin e tyre në mbështetje të atdheut si: Dakha Brakha, Ruslana, The Hardkiss, Jamala, Go_A, Monatik dhe Alyona Alyona.

Maratona përcjell një mesazh mbështetjeje për komunitetin ukrainas me synimin për të përkrahur rezistencën e Ukrainës kundër zgjerimit rus qoftë edhe nga distanca, me vetëdijen se lufta duhet të përfundojë sa më shpejt.

Maratona do të ofrojë gjithashtu një mundësi për të mbledhur fonde për të adresuar problemet humanitare të shkaktuara nga pushtimi ushtarak rus në Ukrainë. / KultPlus.com

Të ngjajshme