Sherri mes Ritës e Duas shuan shpresat për bashkëpunim mes katër këngëtareve shqiptare

8 Maj, 2021 - 3:23 pm

Bebe Rexha ka sjellë disa bashkëpunime me artistë të famshëm amerikanë në albumin e saj më të ri “Better Mistakes” mirëpo nuk ka arritur të sjellë bashkëpunimin që shumëkush është duke e pritur që një kohë të gjatë.

Bëhet fjalë për premtimin që pati dhënë kohë më parë këngëtarja 31-vjeçare shqiptare, se do t’i bënte bashkë në një projekt, Rita Orën, Dua Lipën, Ava Maxin dhe vetë atë, të gjitha këto, artiste të famshme botërore, me prejardhje shqiptare.

Rexha ka thënë në një intervistë për “The Sun” se është e dëshpëruar që nuk ka arritur ta realizojë këtë duke shtuar se tanimë nuk beson se do të ndodhë ndonjëherë.

Ajo ka thënë se bashkëpunimi nuk mund të bëhet për shkak të problemeve mes Duas dhe Ritës.

“Kam provuar me të vërtetë. Nuk e di saktë se çka po ndodh mes tyre apo cila është drama. Jam munduar gjithmonë të krijojë paqe dhe t’i bëjë bashkë vajzat. Unë me të vërtetë dua të bëjë diçka bashkë me ato por tani jam e sigurtë se kjo nuk do të bëhet kurrë. Nuk dua të shtojë asgjë më shumë për këtë”, është shprehur ajo.

Sipas “The Sun”, Dua dhe Rita, prindërit e të cilave janë që të gjithë nga Kosova, asnjëherë nuk kanë folur për rivalitetin e krijuar, ndonëse besohet se kjo ka ndodhur për shkak të krahasimeve mes tyre.

Ato madje shpeshherë kanë marrë pjesë në ngjarje të njëjta muzikore edhe fizikisht por asnjëherë nuk janë takuar dhe nuk janë paraqitur bashkë para mediave, duke i ikur kontaktit me njëra-tjetrën. 

Ndërkohë, Bebe ka thënë se beson që ato janë bërë “rivale” mes vete për shkak të presionit të të qenit gra në industrinë e muzikës.

“Është e çuditshme sepse e di se si është të jesh vajzë dhe nganjëherë bëhemi vërtetë rivale. Nuk jam duke folur për veten, Duan, Ritën apo Avan. Po flas për vajzat në përgjithësi. Nuk e di për në Mbretërinë e Bashkuar, mirëpo këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa vjet më parë, 80% e këngëve të transmetuara në radio ishin të burrave ndërkaq vetëm 20% të grave. Kësisoj, ne ndihemi sikur duhet të garojmë sepse jemi minoritet në industrinë e muzikës”, ka thënë Rexha.

Ajo ka thënë se është për keqardhje që nuk po arrin të realizojë një këngë bashkë me tri vajzat shqiptare pasi siç ka thënë, i njeh të gjitha personalisht dhe se të gjitha janë shumë të mira dhe secila prej tyre është tejet e suksesshme në muzikë.

Bebe Rexha pati hedhur idenë për bashkëpunim mes artisteve shqiptare më famë botërore, në fillim të vitit 2019. /koha/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme