Shkëlzen Doli interpreton veprën e kompozitorit Florent Boshnjaku

14 Shtator, 2017 - 4:25 pm

Maestro i violinës, Shkëlzen Doli, më 23 shtator në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë, do të sjellë magjinë e interpretimit përmes projektit të tij ‘Albanian Soul’.

Ky koncert tashmë është paralajmëruar që do të ketë një program të pasur artistik duke u bazuar në muzikën e të gjitha trevave shqiptare por nuk do të mungojnë edhe perlat e muzikës botërore.

Ky koncert që pritet të jetë madhështor në Tiranë, do të përmbyllet me një pikë të kompozuar nga kompozitori kosovar Florent Boshnjaku. Këtë gjë e bëri të ditur për KultPlus, vetë kompozitori Boshnjaku, i cili tregoi se kjo pikë është kompozuar enkas për këtë koncert dhe do të luhet nga mjeshtri i violinës Shkëlzen Doli.

“Në këtë koncert do të luhen një pjesë e veprave të njohura klasike të ri-orkestruara dhe pastaj do të luhet një program me muzikë shqipe (këngë të dëgjuara të ri-orkestruara, ku edhe këtu e kam një orkestrim timin). Pastaj ka edhe pika origjinale të kompozuara enkas për koncert. Numri im do ta përmbyllë koncertin dhe është origjinal, pra i kompozuar enkas për këtë koncert dhe luhet nga Shkëlzen Doli bashkë me orkestër dhe bend”, ka thënë për KultPlus Florent Boshnjaku.

Vepra quhet ‘E bukura’, ndërsa më 23 shtator në sheshin ‘Skënderbej’, kjo vepër do ta përmbyll koncertin e Shkëlzen Dolit ‘Albanian Soul’./ KultPlus.com

Të ngjajshme