Shkodra bëhet gati për magjinë e “Dua Fest”, muzikë, histori dhe emocione pranë mureve të Rozafës

7 Gusht, 2025 - 1:50 pm

Shkodra po përgatitet të mirëpresë një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të verës, “Dua Fest”, një festival që premton të ndezë qytetin me muzikë, energji dhe art të vërtetë.

Në datat 8 dhe 9 gusht, nën hijen e mureve të lashta të Kalasë së Rozafës, do të ngrihet skena që do të mbledhë disa nga emrat më të dashur dhe të suksesshëm të muzikës shqiptare. Shkodra Elektronike, Aleksandër Gjoka, Alban Skënderaj dhe shumë artistë të tjerë do të sjellin performanca që nuk do të harrohen lehtë.

“Dua Fest po vjen për të ndezur qytetin. Emrat më të mëdhenj të muzikës, performanca elektrizuese dhe energji që nuk harrohen,” – premtojnë organizatorët.

Festivali është konceptuar si një bashkim mes muzikës moderne dhe shpirtit historik të qytetit. Emocione, ritme dhe ndjenja do të gërshetohen në një atmosferë unike që vetëm Shkodra di të ofrojë.

Në skenën e “Dua Fest” do të ngjiten gjithashtu: DJ Hermes, DJ Irgen, Eri Dee, Grupi Burn, Hektor Jubani.

“Dua Fest” nuk është thjesht një koncert, është një përvojë për të gjithë ndjeshmëritë, një takim mes së vjetrës dhe së resë, mes historisë dhe të tashmes, ku muzika bëhet gjuhë e përbashkët e brezave./KultPlus.com

Të ngjajshme