Shqiptarja Ilira Gashi, ndër këngëtaret më të dëgjuara në Zvicër

3 Janar, 2021 - 6:29 pm

Ilira Gashi, e njohur me emrin e saj skenik ILIRA, është një këngëtare, kantautore shqiptare, e cila është duke e shijuar suksesin e saj në shoqërinë zvicerane dhe atë gjermane. Ajo është 26-vjeçare, e lindur dhe rritur në Köniz-i të Bernës.

Duhet theksuar se karriera muzikore e saj filloi me shfaqjet në shkollën fillore. Ajo së pari u shfaq në televizione zvicerane dhe shqiptare si adoleshente, më pas u transferua në Gjermani dhe nënshkroi një menaxhim, kontratë botuese me Sony / ATV Music Publishing. Ndërkohë në gusht të vitit 2018 Ilira nënshkroi me Four Music dhe publikoi këngën e saj të parë “Whisper My Name”.

Së fundmi, platforma më e madhe e muzikës në botë, Spotify, ka publikuar statistikat vjetore për të gjithë artistët nga bota. Ilira tashmë edhe zyrtarisht është këngëtarja ndër më të dëgjuarat zvicerane në platformën e transmetimit të muzikës Spotify.

Artistja shqiptare është dëgjuar 87.7 milionë herë në Spotify. Për këtë sukses, ajo ka falënderuar fansat e saj, duke thënë se numrat tregojnë për arritjet, por arti i vertetë do të jetë gjithmonë i lirë nga numrat.

“Numrat gjithmonë tregojnë diçka për arritjen, por arti i vërtetë do të jetë gjithmonë i lirë nga numrat. Kam një shije jo të mirë të numrave, sepse unë personalisht mësova të mos i gjykoj këngët sipas numrave. Por, më duhet të pranoj se më bëri të lumtur në mënyrë të pabesueshme kur i pashë këta numra”, është shprehur Ilira.

Ajo është e gëzuar për faktin se këngët e saj janë dëgjuar në gjithë globin dhe se muzika e saj i lidh njerëzit në kuptimin pozitiv.

“Këngët e mia janë dëgjuar në gjithë globin, pa marrë parasysh se çfarë kulture, feje, gjinie apo çfarë gjuhe flasin. Muzika ime i lidhi njerëzit. Më pëlqen të shoh përkrahësit e mi të lidhen përmes muzikës time, duke u bërë miq përmes faqeve të internetit dhe duke ndarë muzikën time”, tregon ajo.

Aktualisht Iliria jeton në Berlin të Gjermanisë dhe po vlerësohet si më e mira e pop-it, për shkak të cilësisë dhe fuqisë së rrallë të zërit të saj. Ajo ka një sekret në teknikën e saj të paimitueshme vokale të cilësisë dhe fuqisë së rrallë të zërit me një gamë që përfshin mbi 4 oktava, që pak këngëtar nga bota e kanë këtë dhunti. Madje, ajo është krahasuar me yllin e madh botëror, Mariah Carey.

Vlen të theksohet se ngjashmëritë e zërit të saj me Mariah Carey janë vertet tipike, ajo së fundmi ka relizuar një cover tjetër. Duke qenë se jemi në prag të festave të fundvitit, Iliria pikërisht ka zgjedhur këngën e Mariah Carey-t, “All I Want For Christmas Is You”, e cila këndohet me mjeshtëri dhe ngjyrim emocional.

Nga ana tjetër, ndër këngët më të dëgjuara të Iliria Gashit janë “Fading”, “Royalty”, “Diablo”, “Easy”, “Lose you”, “Extra Fr!es”, “Pay my back”, “Do it yourself”, “Ladida”, “Get off my D..”, “Whisper my name”, etj. Të gjitha nga këto këngë kanë një sukses të madh, në të gjitha dimensionet. Si nga ana skenike, ashtu edhe nga ngjyrimi emocional. /albinfo.ch/ KultPlus.com

Të ngjajshme