Simply the best

25 Maj, 2023 - 11:20 am

Nga Roland Qafoku

Diva amerikane Tina Turner u shua dje në Zvicër dhe bashkë me të edhe një pjesë e adoleshencës dhe rinisë sonë. Brezi i sotëm s’ka se si ta kuptojë që kur vdes një këngëtar i madh, për brezin tonë është një lajm që nuk kalon aq lehtë. Bashkë me këtë humbje, për brezin tonë ka vdekur diçka edhe nga jeta jonë. 

Brezi i sotëm nuk e kupton këtë lidhje për një arsye shumë të thjeshtë: Aso kohe ishte e ndaluar ta dëgjoje Tina Turner dhe këdo që në skenat dhe stadiumet e botës çonte në këmbë një rini të tërë, por ne në Shqipëri na ndrydhnin duke na e ndaluar me arsyetimin se ajo muzikë ishte e degjeneruar.

Por, nga ato pak gjëra që i kuptonim qartë në atë kohë ishte se këta këngëtarë jo vetëm nuk ishin si na thoshin, por duke i ndjekur me ato mundësi që kishim, na i jepnin jetës sonë grimca lumturie. Më kujtohet si tani që në vitin 1986 e dëgjonim fshehurazi këngën e sapo dalë të Tina Turner “We don’t need another hero” teksa nga Tirana drejt Voskopojës si klasë bëmë gati një udhëtim biblik.

Nuk e di ku ndodhet sot shoku i klasës Mond Çomo, por i lindur në New York si fëmijë i prindërve diplomatë në OKB, bisedat me të për amerikanët e muzikës kapërcenin çdo lloj kënaqësie tjetër të asaj moshe. E dëgjonim fshehurazi këngën “Steamy windows”, “Private dancer” e shumë të tjera për të ardhur te kryekënga “The best” që në refren Tina e madhe e këndonte “Simply the best”, ndërkohë që radioja ime “Adriatik” ishte kthyer në një qendër zeri në miniaturë në oraret 12.55, 13.40 dhe 16.00 me hit parade te RAI UNO.

Ishte fat që pas disa vitesh ai dreq regjim u rrëzua dhe nuk ishim më të ndaluar ta dëgjonim Tinën dhe të gjithë plejadën e saj. Ishim me fat që Tina e vijoi karrierën me po atë nivel dhe në 1997 ajo nxori nga repertori i saj kryeveprën e kryeveprave të saj në një bashkëpunim me Eros Ramazzotin me këngën “Cose della vita”. Një duet të cilin fjalët e veta Eros i këndoi në italisht dhe Tina në anglisht, një gjë shumë e rrallë që një këngë të këndohet njëkohësisht në dy gjuhë.

Prandaj, me vdekjen e Tina Turner për ne nuk vdiq vetëm një këngëtare. Ajo është tashmë pjesë e atij kostelacioni yjesh që nuk jetojnë më që nga Michael Jackson, Whitney Houston, Leonard Cohen, Freddie Mercury, Laura Branigan. Dhe në këtë kostelacion Tina ishte simply the best. Dëgjojeni këtë këngë, veçanërisht ju të brezit të ri. Mund të na e merrni në çdo gjë, por në muzikë kurrën e kurrës. Jemi me fat që jemi rritur me këta galaktikë. Sepse jemi rritur me “Simply the best”. / KultPlus.com

Të ngjajshme