Siparantum shkëlqen në zemër të Berlinit

1 Maj, 2025 - 5:11 pm

Më 26 Prill 2025, në orën 20:00, Kori “Siparantum” u ngjit në Matthäuskirche në Berlin, si pjesë e koncertit  “Around the World”. Ky koncert mblodhi bashkë ansamble dhe kore të shquara nga Greqia (Polychromon), Spanja (B-Tenors) dhe Lituania (ARTyn), duke krijuar një mbrëmje me dimensione të thella ndërkulturore dhe artistike.

Kori “Siparantum” u prezantua me një program të pasur që përfshinte vepra të kompozitorëve bashkëkohorë , kulmuar me premierën botërore të veprës “Hear my prayer, O Lord” nga kompozitori gjerman Christian Bährens. Kjo vepër u drejtua nga vetë autori, duke i dhënë interpretimit një karakter unik dhe një ndërlidhje të drejtpërdrejtë mes krijimit dhe ekzekutimit artistik.

Formacioni u përforcua nga solistët Rizah Jahaj, Leon Shehu, Erijon Palucaj, Diar Meholli dhe Kaltrina Miftari, ndërsa mbështetja pianistike u realizua nga Agron Shujaku dhe Denita Dedushaj.

Në kuadër të festivalit ndërkombëtar ChoralSpace, Kori “Siparantum” mori pjesë në një sërë punëtorish muzikore dhe sesionesh interpretative, të cilat përfaqësuan një përvojë formuese  për koristët në tërësi. Këto punëtori ishin të fokusuara ekskluzivisht në veprat e kompozitorit të njohur  Ola Gjeilo, i cili ishte i pranishëm si kompozitor dhe pianist, duke kontribuar drejtpërdrejt në procesin interpretativ të veprave të tij dhe duke ndarë me pjesëmarrësit reflektime mbi procesin krijues, ngjyrimin estetik dhe ndërlidhjen midis tekstit dhe muzikës.

Në kuadër të paneleve të diskutimit dhe prezantimeve artistike, Kori “Siparantum” u ngjit në podiumin e sallës Otto Braun Saal, Berlin për të interpretuar veprën “Still” të Ola Gjeilo-s, nën shoqërimin ë pianistes Denita Dedushaj. 

Koristët e Siparantum-it, së bashku me ansamble të tjera pjesëmarrëse, patën mundësinë të përfshiheshin në një proces të thelluar muzikor nën drejtimin e dirigjentëve të mirënjohur nga vende të ndryshme të Evropës. Kjo qasje multidimensionale në punën me repertorin bashkëkohor solli një pasurim të ndjeshëm të përvojës interpretative dhe artikulative të korit, duke thelluar jo vetëm aftësitë vokale, por edhe ndjeshmërinë estetike dhe vetëdijen stilistike të interpretimit. Veprat e kompozitorit Ola Gjeilo, të karakterizuara nga ndërtimi i ngjeshur harmonik, linjat modale dhe teksturat me ngarkesë emocionale, u punuan përmes një procesi të kujdesshëm muzikor të udhëhequr nga një plejadë dirigjentësh, secili me qasje të veçantë stilistike dhe pedagogjike. Dirigjentët që drejtuan këto sesione ishin Ilmārs Millers, Steve De Veirman, Stefan Schuck, Iveta Mikalajūnaitė, Lesley Challender, Memli Kelmendi, Valerija Skapiene dhe Kalina Marszałek-Dworzyńska.

Më 27 Prill 2025, në sallën prestigjioze të Filharmonisë së Berlinit, Kori “Siparantum” u ngjit në skenë në pjesën e parë të koncertit për të interpretuar premierën e veprës “Zanat e Malit”, vepër Premierë nga kompozitori Kreshnik Aliçkaj.

“Ishte një përvojë shumë e mirë. Më interesonte, si kompozitor, të dëgjoja se si tingëllon vepra në Filharmoninë e Berlinit, duke pasur parasysh që është një ndër sallat më të mira në botë për nga akustika, dhe u ndjeva shumë mirë që isha sot këtu. Shpresoj në bashkëpunimet e radhës dhe në vepra të tjera premierë, siç ishte kjo,” u shpreh kompozitori Kreshnik Aliçkaj.

Kjo vepër për kor femrash, violinë, piano dhe kastanjeta solli në skenë një bashkëdyzim të thellë mes mitologjisë shqiptare dhe gjuhës bashkëkohore muzikore. Interpretimi u realizua në bashkëpunim me violinisten e shquar Sihana Badivuku, një nga emrat më të vlerësuar të skenës koncertale shqiptare dhe ndërkombëtare, me shoqërimin e pianistit Agron Shujaku dhe  nga Aurora Hyseni, në kastanjeta. 

“Ishte për mua një privilegj të jem pjesë e performancës dhe koncertit këtu në sallën e Filharmonisë së Berlinit me Korin “Siparantum”, nën udhëheqjen energjike dhe unike të dirigjentit Memli Kelmendi, i cili me të vërtetë inspiron prej vitesh me punën dhe përkushtimin e tij. Kjo vepër ka elemente interesante, motive dhe dialogje ku violina, pianoja dhe kori bashkëbisedojnë në skenë. Falënderoj shumë për bashkëpunimin Memlin, Agronin, Kreshnikun dhe zërat fantastikë të këtij kori, i cili mendoj se ka një të ardhme edhe më të ndritur përpara, ndonëse ka arritur shumë deri më tani, sepse ka ndërkombëtarizuar kulturën tonë kosovare dhe do t’i hapen edhe më tej dyert në skenat botërore”, u shpreh violinistja e shquar Sihana Badivuku.

“Zanat e Malit” u prit me entuziazëm dhe admirim të veçantë nga publiku i pranishëm, duke marrë kritika të larta pozitive nga muzikologë dhe adhurues të muzikës . 

Pjesa e dytë e koncertit në Filharmoninë e Berlinit, më 27 Prill 2025, përfaqësoi kulmin artistik, duke sjellë në skenë mbi 500 pjesëmarrës – 485 koristë nga ansamble të ndryshme nga mbarë bota, orkestrën dhe vetë kompozitorin Ola Gjeilo, i cili shoqëroi veprat në piano. Ishte një përvojë unike ku çdo zë bëhej pjesë e një organizmi të përbashkët artistik, dhe ku fuqia e tingullit e tejkaloi çdo kufi. Në këtë mbrëmje të jashtëzakonshme, u interpretuan disa nga veprat më të njohura të Ola Gjeilo-s si The SpheresTundraEcce NovumAve GenerosaAcross the Vast Eternal SkyThe RoseUbi Caritas dhe The Ground.  Momenti më emocional i mbrëmjes ishte padyshim ngjitja në podium e dirigjentit të Korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, i cili drejtoi  veprën “The Rose” përkrah mbi 500 pjesëmarrësve.

“Të jesh i rrethuar nga 500 zëra në Filharmoninë e Berlinit, përballë vetë Ola Gjeilo-s, ishte si të gjendesh në zemrën e një universi muzikor – ku çdo tingull lundronte si një dritë e padukshme në ajër dhe përqafohej me tjetrin në heshtje të thellë. Ishte një moment ku fryma e botës u bë një zë i vetëm, i përbashkët, që prekte shpirtin me hijeshi hyjnore,” u shpreh Memli Kelmendi, dirigjenti i Korit “Siparantum”.

Pjesëmarrja në këtë ngjarje përfaqësonte më shumë se një prezencë koncertale – ajo shënoi një angazhim të thellë në procesin e promovimit të vlerave tona muzikore në skena të mëdha ndërkombëtare, si dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit me artistë dhe krijues të njohur botërorë. Kjo përvojë e pasuroi rrugëtimin artistik të Korit “Siparantum” dhe forcoi më tej vizionin për një art që ndërton dialog, ndan identitet dhe frymëzon përmes muzikës./KultPlus.com

Fotot: Peter Adamik

Të ngjajshme