“Siparantum” vjen me koncert, do të prezantohet repertor shqiptar e botëror

5 Korrik, 2021 - 3:09 pm

“Siparantum” po vjen me një koncert me peshë shumë të veçantë, ku sipas organizatorit, po shënohet edhe rikthimi i këtij kori pas një pauze e kohe të zymtë, si pasojë e pandemisë, shkruan KultPlus.

Drejtuesi Memli Kelmendi ka bërë të ditur se koncerti koral do të mbahet më 10 korrik, në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, dhe hyrja për këtë koncert është me një çmim prej 3 eurove.

“Programi paraqet vepra të larmishme të repertorit koral botëror dhe shqiptar. Do të interpretohet një vepër korale e kompozitorit të ndjerë Prof. Fahri Beqiri në shenjë respekti për punën dhe veprimtarinë e tij lënë muzikës sonë profesionale. Këtë koncert i dedikojmë ish Presdentit të Korit Siparantum, z. Fatmir Bajraktari që vërtetë ka lënë një zbrastirë të madhe mes nesh”, ka shkruar Kelmendi në lidhje me këtë koncert.

Ndërkohë, organizatori ka bërë më dije se koncerti duhet të ndiqet vetëm nga personat +15, pasi që sipas tyre, ky kor tash e sa kohë realizon edhe koncerte për fëmijë, andaj edhe po synojnë që edhe të ndajnë audiencën./ KultPlus.com

Të ngjajshme