Sopranoja Adelina Paloja u prezantua me koncert në Tiranë

26 Janar, 2019 - 6:48 pm

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar mbajti koncertin e saj të radhës i cili u dirigjua nga dirigjentit Jetmir Barbullushi. Kjo mbrëmje solli para publikut një laramani veprash përmes kompozitorëve si:  Prenk Jakova, Alfredo Catalani, Aram Khachaturian, Antonin Dvorak, Frederick Loewe, List e Tchaikovsky.

Sopranoja Adelina Paloja nga Kosova dhe pianisti Kosti Deti ishin solistët e kësaj mbrëmje. Paloja edhe më parë ka perfomuar me këtë orkestër mirëpo kjo ishte hera e parë ku ajo pati një gjysmë recital. Ftesën nga kjo orkestër e ka mirëpritur sopranoja Adelina Paloja e cila është ndjerë e privilegjuar.

“E mirëprita këtë ftesë duke pasur parasysh kënaqësinë artistike që e kemi si solistë kur koncertojmë nën përcjelljen e Orkestrës së madhe Simfonike posaçërisht duke marrë në konsideratë traditën e Orkestrës së RTSH-së që daton që nga viti 1962. Pjesa qendrore e programit semi-recital ishte me programin që e sajuam së bashku me dirigjentin në sintezë me parametrat e kërkesave teknike të arieve dhe atraktivitetit për publikun. Ndihem e nderuar nga impakti që kishte koncerti dhe pritja fantastike që mu bë nga publiku shqiptar”, u shpreh Paloja për KultPlus.

Arioza e Mrikës “Kah mendoj për ditë e reja…”(e pashkëputur më parë nga opera) P.Jakova. dhe “I could have danced all night” nga Frederick Loewe nuk janë interpretuar më parë në Shqipëri. Këto pjesë u interpretuan për herë të parë nga sopranoja kosovare, Adelina Paloja.

Sopranoja Paloja ka nisur studimet e para në muzikë në Shkollën “Prenkë Jakova” fillimisht për piano por rruga e saj vijoi me kanton. Ajo u diplomua me rezultate të larta në Fakultetin e Arteve në Prishtinë në klasën e profesores së saj Merita Juniku dhe vijoi më tej studimet pasuniveristare për kanto edhe në Shkup. Është nderuar dy herë me çmim të parë në “ArsKosova”, pjesëmarrëse në mjaft aktivitete në Prishtinë e jashtë saj dhe prej vitesh është pjesë e korit të mirënjohur të Filarmonisë së Kosovës, me të cilin interpreton edhe si soliste./ KultPlus.com

Të ngjajshme