Sopranoja Blerta Zhegu, e vetmja shqiptare në skenën e Teatrit Capitol

5 Tetor, 2019 - 11:00 am

Sopranoja Blerta Zhegu është një emër i njohur me aktivitetin e saj në skena të ndryshme. Më datë 9 tetor në Teatrin Capitol të Toulouse-s do të organizohet një mbrëmje gala, ku dirigjenti i madh francez Michel Plasson prezanton nxënësit më të suksesshëm të Akademisë së Muzikës Franceze, që ka krijuar në 2015.

Në këtë mbrëmje është pjesëmarrëse dhe sopranoja shqiptare Blerta Zhegu. “Jam e vetmja jo franceze në këtë mbrëmje”, tregon sopranoja. Prej vitesh sopranoja Blerta Zhegu jeton në Francë, ku zhvillon aktivitetin e saj muzikor. Ajo ka qenë pjesëmarrëse në festivale të rëndësishme si ai i Colmarit, i Aix en Provence, po ashtu ka kënduar në recitale të ndryshme në Marseille, Aix en Provence, Montpellier, Vichy, Paris.

Ajo ishte pjesëmarrëse edhe në “Musiques en fete” në Choregies d’orange e transmetuar live në televizionin France 3 dhe në Radio Classique. Sopranoja shqiptare Blerta Zhegu nuk ka munguar dhe në skenë shqiptare, por po ashtu ka vazhduar një aktivitet më vlerësime jo vetëm në Francë por dhe më gjerë.

Disa muaj më parë sopranoja shqiptare ishte pjesë e veprës operistike “La boheme” në skenën e Teatrit Goldoni të Livornos në Itali. Po me këtë vepër sopranoja ishte edje në muajin mars në Lucca. Vepra ishte bashkëpunim dhe me Teatro dell’Maggio Fiorentino, dhe dirigjente Gianna Fratta. Sopranoja shqiptare u ngjit në skenë me rolin e Musettës, ku mori vlerësimet nga publiku dhe kritika. Duke folur për këtë rol, sopranoja ka pohuar se është munduar ti japë këtij personazhi një identitet sa më origjinal.

“Duke qenë se kisha të bëja me një personazh shumë të njohur për publikun italian si ai i Musettës në “La boheme” mu desh të mundohesha ti jepja një identitet sa më origjinal këtij personazhi duke evidentuar cilësi të tilla si eleganca, kokëfortësia, antikonformizmi apo sensualiteti që përbëjnë pikërisht sharmin e saj”, shprehet sopranoja.

Vepra e Puçinit pati sukses në skenë dhe për sopranon roli i Musettës është më i dashuri. Musetta në “La boheme” është roli i parë në 2019 të cilin sopranoja shqiptare e interpretoi në premierën e operës në Teatrin Goldoni të Livornos. Sopranoja Blerta Zhegu në gushtë të këtij viti performoi në Nuits de Muses të Sousse-s në Tunizi, me rolin e Belindës në operën “Didon dhe Enea”. /sotnews/KultPlus.com

Të ngjajshme