Sopranoja e famshme italiane, Anna Pirozzi në TKOB

5 Qershor, 2023 - 2:16 pm

Një nga sopranot dramatike më të suksesshme italiane, Anna Pirozzi, fama e së cilës kapërcen kufijtë e rajonit, ka sjellë me vokalin e saj brilant ariet më të bukura verdiane, në skenën gjigande të TKOB-së.

I cilësuar si një event unik për jetën artistike shqiptare, kjo mbrëmje përcolli emocione të veçanta për publikun shqiptar e të huaj. Koncerti u organizua me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturë dhe Ambasadës Italiane, në kuadër të Javës Kulturore Italiane organizuar nga Ministria e Kulturës.

Ministrja Margariti e vlerësoi si të jashtëzakonshme mbrëmjen e djeshme në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

“Një nga yjet e lirikës botërore, sopranoja Anna Pirozzi nderoi skenën shqiptare, duke kulmuar Javën Italiane të Kulturës. Kënaqësi të isha pjesë e publikut për të shijuar interpretimin e saj”, shkroi ministrja e Kulturës në rrjetet sociale ndërsa ka ndarë me ndjekësit edhe një album fotografik nga koncerti i Anna Pirozzi-t dirigjuar nga një tjetër mjeshtër italian, Jacopo Sipari di Pescasseroli.

“Një duartrokitje të fortë edhe për Orkestrën Simfonike të Teatri Kombetar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, nën drejtimin e Jacopo Sipari di Pescasseroli , për performancën shkëlqyer”, shkruan ministrja e Kulturës, në përmbyllje të mesazhit të saj. Nga ana e tij, maestro Di Pescasseroli e vlerësoi koncertin si spektakolar.

“Jam thellësisht i mallëngjyer. Orkestra ime është “bombë” dhe Anna Pirozzi është legjendë”, shkroi dirigjenti në rrjetet sociale duke iu referuar orkestrës së TKOB.

Sopranoja e famshme Anna Pirozzi në TKOB, fotot Agim Dobi. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme