Sopranoja e karantinuar i bën fqinjët e saj të qajnë duke kënduar nga ballkoni (VIDEO)

19 Mars, 2020 - 11:00 pm

Në kohën kur me mijëra banorë të Barcelonës janë futur në vetëkarantinë si pasojë e përhapjes së koronavirusit, një soprano vendosi t’i gëzojë shpirtrat e ngujuar me këngë nga dritarja e apartamentit të saj.

Në video dëgjohet sopranoja 56-vjeçare Begona Alberdi, me një interpretim mahnitës të aries së famshme të Puccinit, “O mio babbino caro”, në një përpjekje për të mbushur me gëzim fqinjët e saj të vetizoluar pas shpërthimit të koronavirusit.

E nxjerrë nga opera e Puccinit nga viti 1918, “Gianni Schicchi”, aria këndohet nga Lauretta pasi tensionet mes babait të saj Schicchi dhe familjes së Rinuccios, të djalit që ajo e do, arrijnë një pikë thyerjeje dhe rrezikojnë të mbajnë të dashuruarit të ndarë, transmeton KOHA.

Duke dëgjuar nga ballkonet e tyre, dëgjuesit lëshojnë gulçime gëzimi (e madje duket se edhe derdhin lot) teksa dëgjojnë zërin e këngëtares duke pushtuar qytetin, para se t’i japin asaj një duartrokitje të madhe shumë të merituar.

Personi që e incizoi sopranon mund të dëgjohet duke qarë prapa kamerës.

Alberdi është vetëm një nga 263,000 banorët lokalë që aktualisht janë detyruar të mbesin brenda shtëpive të tyre në distriktin Eixample të Barcelonës si pasojë e COVID-19.

Për “Daily Mail”, ajo tha: “Ishte ora 20:00 dhe fqinjët po duartrokisnin punonjësit spitalorë dhe edhe ne iu bashkëngjitëm, ishte shumë prekëse të shohësh të gjithë duke u mbledhur së bashku për t’i falënderuar”.

“Më preku dhe mendova, jetojmë në një botë shumë të ftohtë. Doja të këndoja dhe burri më tha ‘këndo atëherë’ dhe kështu nisa të këndoja”.

“Tani është koha të rrimë në shtëpi. Do të kemi kohë për të dalë në shëtitje dhe për të bërë gjëra normale më vonë”, shtoi ajo.

Që nga ajo natë, ajo i argëtoi fqinjët me këngë klasike përfshirë “Ave Maria”, “Cançó d’amor i de guerra” dhe “Casta diva”, nga opera e famshme e Bellinit, “Norma”. /KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=OcUWoNY9qFo&feature=emb_title


Të ngjajshme