Sopranoja Ermonela Jaho propozohet si Ambasadore e Vullnetit të Mirë në UNESCO

8 Qershor, 2018 - 4:20 pm

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro prezantoi zyrtarisht kandidaturën e sopranos shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, si Ambasadore e Vullnetit të Mirë në UNESCO, dhe gatishmërinë e saj, për të vënë emrin, zërin dhe famën e saj në shërbim të kauzave dhe projekteve të UNESCO-s, shkruan KultPlus.

Gjatë qëndrimit në Paris, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro zhvilloi një vizitë në Selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencë dhe Kulturën, UNESCO dhe u prit në takim nga Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay.

Pikërisht në Paris ajo prezantoi zyrtarisht kandidaturën e sopranos shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, si Ambasadore e Vullnetit të Mirë në UNESCO si dhe shfaqi gatishmërinë e sopranos për të vënë emrin, zërin dhe famën e saj në shërbim të kauzave dhe projekteve të UNESCO-s.

Kumbaro theksoi se do të ishte në nderin e Organizatës që të angazhojë një grua dhe një artiste të këtij niveli për të punuar e ndikuar që kultura të mbetet urë komunikimi mes të rinjve në mbarë botën dhe të luajë rolin që i takon në paqen dhe emancipimin e shoqërive në botë./ KultPlus.com

Të ngjajshme