Sot përkujtohet Luciano Pavarotti, tenori që i dha botës një zë të pavdekshëm

6 Shtator, 2025 - 4:35 pm

Më 6 shtator 2007, bota e muzikës humbi një nga figurat më të mëdha të saj, Luciano Pavarottin. Sot shënohen 18 vite nga ndarja e tij nga jeta, por zëri i tij vijon të mbetet i gjallë dhe frymëzues për miliona njerëz në mbarë botën.

I lindur në Modena të Italisë më 12 tetor 1935, Pavarotti u ngjit në skenat më prestigjioze të operës në vitet ’60 dhe shpejt u bë sinonim i artit vokal. Interpretimet e tij në “La Bohème”, “Rigoletto” apo “Turandot” janë ende ndër më të vlerësuarat në historinë e operës.

Kulmi i famës globale erdhi me projektin “Tre Tenorët”, ku bashkë me Plácido Domingo dhe José Carreras arritën të sjellin operën pranë miliona shikuesve në botë, duke e kthyer në një fenomen kulturor. Përtej skenës, Pavarotti ishte i njohur edhe për humanizmin e tij – organizoi koncerte bamirësie dhe ndihmoi me të ardhura të mëdha për njerëzit në nevojë.

Me një zë të cilësuar shpesh si “dhuratë hyjnore”, Pavarotti jo vetëm që e ruajti traditën e operës italiane, por e bëri atë pjesë të jetës së përditshme të publikut. Edhe pse kanë kaluar 18 vite nga ndarja e tij nga jeta, muzika e tij vazhdon të dëgjohet në çdo cep të botës.

Luciano Pavarotti është dhe do të mbetet një emër që i dha shpirt operës dhe që bëri historinë e artit muzikor./KultPlus.com

Të ngjajshme