Sot, Ismet Bogujevci u nderua si një personalitet i rrallë i vlerave të mëdha të trashëgimisë kulturore shqiptare

19 Maj, 2021 - 6:25 pm

Era Berisha

Nderimi i figurës së Ismet Bogujevcit, jo vetëm si profesionist dhe kontribuues por edhe si një personaliteti i rrallë i vlerave të mëdha të trashëgimisë tonë kulturore sot në një mbledhje komemorative për doajenin e këngës shqipe, mblodhi pranë vetes familjar të shumtë, artistë, kolegë e figura të tjera të njohura në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Nën meloditë që po dëgjoheshin nga perlat e krijimtarisë së Bogujevcit, ai që fillimisht nderoi figurën e mirënjohur ishte vetë Ministri i kulturës Hajrulla Çeku, i cili ngushëlloi të pranishmit për humbjen e figurës së Bogujevcit.

“Ne të gjithë humbëm një njeri të madh dhe një personalitet të shquar kombëtar që përmes këngës popullore lartësoi vlerat tona për dekada të tërë. Ai ishte një person i mbyllur e i heshtur sepse ai asnjëherë nuk ka bërë kompromise me vlerat njerëzore dhe artistike”, thotë Çeku.

Sipas tij, të gjithë e kanë njohur Bogujevcin përmes këngës dhe zërit sepse ai nuk quhet doajeni i këngës shqipe rastësisht. Po ashtu, Ismeti mëshironte këngët që i këndonte në skenë dhe të bënte ta përjetoje e ta ndjeje emocionin që ai përçonte përderisa këndonte duke  e bërë kështu publikun për vete me modestinë e tij.

“Ai ka një timbër të veçantë dhe është në fakt një kontribuues i vazhdueshëm në fazat e vështira të historisë tonë e prandaj përmes këngës kthente sadopak shpresën atëherë kur populli ynë ndodhej në një sistem robërues”, përfundon Çeku.

Për Çekun, Bogujevci është dëshmi e vlerave më të larta të kombit dhe vepra e tij është një vulë e pashlyer e kohës. Prandaj, sipas tij, Kosova gjithmonë do ta vlerësojë lart këtë figurë për kontributin e tij dhe do të përkujdeset për ruajtjen e tij artistike që e la si thesar për kombin tonë.

Ndërsa, drejtori i Ansamblit të Shotës, Shefqet Gjocaj është shprehur se është ndjerë i nderuar që ka ardhur në kohën kur Bogujevci ka qenë aty dhe ai kështu ka pranuar detyrën e kërkuar nga vetë Bogujevci.

“Duke e njohur Bogujevcin qysh nga vitet e 80-ta, aura e tij ishte aq e madhe saqë vërtetë me vinte keq që unë po e pranoja atë pozitë. Mirëpo, motivimi i tij më shtyri që ta pranoja me lehtësi këtë detyrë”, tregon Gjocaj.

Sipas tij, Bogujevci ishte gjithmonë motivues dhe përkrahës i madh e sidomos për Ansamblin e Shotës.

Fjalën me radhë e morri profesori Fehmi Shaqiri, i cili pavarësisht moshës së tij, ai nuk mungoi në një ditë të tillë për ta nderuar dhe përkujtuar disa momente me Bogujevcin.

“Ismetin e kam njohur si njëri nga këngëtarët e mëdhenj të Kosovës, megjithëse ai ishte edhe hallka e respektit por e pata mikun më të ngushtë e në veçanti edhe kur u emërua edhe si drejtor”, tregon Shaqiri.

Sipas tij, Ismeti ishte shoqërues i halleve të tij e po ashtu edhe në premierën e parë të valles me Ansamblin e Shotës, ku shumë shpejt u bë rekord për të gjitha ansamblet e Ballkanit me një folklor të rëndësishëm por me një nocion krejt të veçantë nga të tjerët qysh nga krijimtaria e parë e jona e deri tek e fundit.

“Pata një fat të madh që kam punuar me Ansamblin më kombëtar, më dinjitoz, e që sot ka një bagazh që nderohet tej mase”, përfundon Shaqiri.

Miku i Ismet Bogujevci, Skender Hyseni është shprehur se familjet e tyre ishin një familje dhe se nuk kishte rëndësi se ku i zinte dreka apo darka.

“U rritëm me muzikën, me teatrin e Podujevës dhe gjatë viteve të 70-ta ne e kishim përzgjedhur artin përpos si mision por edhe formë të shprehjes, brengave dhe halleve tona. Mundësitë ishin të kufizuara por edhe të rrezikshme që preferencat tona politike për lirinë e shtetit ti shfaqnim hapur. Prandaj, kishim përzgjedhur artin”, tregon Hyseni.

Sipas tij, arti ishte formë e mirë sepse qoftë me koncerte apo shfaqjet teatrale ku ‘Halili e Hajria’, mbetet një nga skenimet më të mira, Ismeti ishte aktor dhe rapsod i shkëlqyer.

Gjithashtu, edhe Valbona, motra e Ismet Bogujevcit në mesin e emocioneve të shumta është shprehur se disa njerëz vinë në këtë botë për të qenë të veçantë e për të lënë kujtime të mira por kur ata nuk janë më, ekziston një boshllëk i madh për familjen dhe shoqërinë.

“Ismeti si artist dhe si njëri ka dhënë shumë shembull se si duhet të jetë një prind, një burrë, një vëlla e një mik. Ai ishte gjithmonë i pranishëm për familjen në momentet e vështira por edhe të mira. Pavarësisht dallimit në moshë, ai gjente mirëkuptim për secilin nga ne”, tregon Bogujevci.

Sipas saj, ai ishte një mbështetje e fortë dhe ishte një njeri i dashur sepse ai ka pasur shumë dashuri në zemrën e tij. Ai do të kujtohet përgjithmonë për urtësinë, modestinë dhe fjalën e peshuar.

Kështu krejt në fund erdhi një version i shkurtër të dokumentarit për Ismet Bogujevcin, i përgatitur vite më parë nga Radio Televizioni i Kosovës me regji të Kastriot Saqipi. Në këtë dokumentar kanë folur edhe figurat e njohura si: Fahri Beqiri dhe Fadil Vokrri./ KultPlus.com

Të ngjajshme