“Spitfire Festival” po vjen, synon të vazhdojë traditën e rockut në Kosovë

18 Gusht, 2022 - 2:08 pm

Nën moton “Një për të gjithë, të gjithë për ROCK”, po vjen “Spitfire Festival” duke bashkuar kështu ROCK grupet, fansat dhe mediat në mbështetje të muzikës dhe kulturës rock, përcjellë KultPlus.

Datat 26, 27 dhe 28 gusht janë rezervuar për këtë festival që për tri ditë radhazi te pishina e Gërmisë do të sjellë emra të njohur të muzikës si: Aleksandër Gjoka, Bojken Lako, Eugent Bushpepa, Redon Makashi, Jericho, Elton Deda dhe shumë të tjerë.

Festivali synon që ta vazhdojë traditën e rockut në Kosovë, e cila i ka fillet nga vitet e 60-ta, duke e përcjellë këtë kulturë te të rinjtë e të gjitha komuniteteve përmes përfshirjes më të madhe të bendeve të reja të rock skenës kosovare. Kjo e bën Festivalin Spitfire të mirëpritet nga të gjithë dashamirët e kulturës rock dhe të kontribuojë në bashkimin e gjeneratave të ndryshme të krijuesve. Veprat dhe shkëmbimi i përvojave dhe ideve të pjesëmarrësve do të jenë një udhërrëfyes për gjeneratat e reja dhe kultivimin e rockut në të ardhmen.

Në Spitfire Festival do të marrin pjesë rock bende nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke u zgjeruar me bende ndërkombëtare në vitet në vijim. Festivali do të zgjasë tri ditë radhazi, me performanca të bendeve të reja, por edhe të bendeve më të famshme në Kosovë e rajon, si: Aleksandër Gjoka, Bojken Lako, Eugent Bushpepa, Redon Makashi, Jericho, Crossbones Elton Deda, Pinkmetal, Frisson, Gima, Trampolinë, Station Innermost, Epoka 94, Zwada, Telikput, Gillespie, Koha, Oktappa, RedKnots dhe Masters of Mind.

Koncerti treditor, me njëzetë (20) rock e metal bendet më të njohura, do të mbahet në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë. Performancat do të zgjasin prej 25 deri në 100 minuta dhe do të përcillen nga DJ të po të njëjtit zhanër.

Biletat/Tickets for Spitfire Festival / KultPlus.com

Të ngjajshme