Sunny Hill fillon me shitjen e biletave grupore, me çmime të reja dhe atraktive

2 Korrik, 2018 - 7:30 pm

Festivali më i madh i muzikës këtë vit, Sunny Hill vjen me llojin e ri të biletave, me çmim edhe më atraktiv sesa biletat individuale. Të gjitha llojet e biletave mundësojnë hyrje për tre net të festivalit.

Ngjarja më e madhe e muzikës këtë vit, Sunny Hill Festival, i cili do të sjell disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore aktualisht, sot ka njoftuar se ka filluar edhe me shitjen e biletave grupore.

Biletat grupore për festival nënkuptojnë blerjen e biletave për 3+ persona. Më saktë, për grupe prej 3 deri në 5 persona, bileta për një person kushton 45 euro për tre netë rresht (mesatarisht 15 euro për natë), ndërsa për grupe prej 6 personave e më shumë, bileta për një person kushton vetëm 40 euro (mesatarisht 13 euro për natë), e cila poashtu përfshin hyrjen për të gjitha netët e festivalit.

“Duke parë interesimin e madh të audiencës së huaj për Sunny Hill, ne kemi dashur që të krijojmë mundësi të reja për pjesëmarrje grupore në festival edhe për të rinjtë tanë, të cilët do të kursejnë në çmim sa herë që ata bëhen bashkë për të blerë cilindo nga opsionet e biletave grupore të festivalit. Së shpejti do të dalim edhe me biletat familjare, për t’ia mundësuar prindërve që festivalin ta përjetojnë së bashku me fëmijtë e tyre” thuhet në njoftimin zyrtar të Sunny Hill.

“Bazuar në emrat e artistëve që do të performojnë në Sunny Hill, ne jemi festivali me çmimet më të ulëta në Evropën Juglindore, dhe gjithë kjo, për t’ia përshtatur platformën tonë mundësive të tregut lokal, përkundër kërkesës që po vjen nga të rinjtë e shumtë nga vendet e ndryshme evropiane, të cilët do të jenë pjesë e Sunny Hill këtë vit”.

Përveç Dua Lipës, në Sunny Hill Festival do të performojnë edhe ACTION BRONSON, DJ #1 në botë për momentin, Stanaj, SG Lewis, Col3trane, Grace Carter, Bondax, si dhe artistët më të mirë shqiptar, sikurse Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lumi B, Buta, Kidda, Oda, Jericho, Gamblemania, Asgjë Sikur Dielli, Genc Salihu, Shpat Deda, Dren Abazi dhe Zig Zag Orchestra, Gon & Sonik, Rrrron dhe Ylli Megi.

Sunny Hill Festival, do të mbahet nga datat 10-11-12 Gusht, në parkun kombëtar të Gërmisë. Për t’i parë llojet e reja të biletave apo për më shumë informata, vizitoni: www.sunnyhillfestival.com

Të ngjajshme