Të fshehtat e Beethoven-it që mbeten larg vëmendjes së njerëzve për shumë kohë

21 Maj, 2021 - 11:50 pm

Si çdo gjeni tjetër i artit, edhe jeta e Ludwig van Beethoven është e mbushur me sekrete, të panjohura, të vërteta të aluduara dhe mite, të cilat nuk e komprometojnë krijimtarinë e tij, as nuk e zbehin shkëlqimin e yjësisë ku ata shndrisin përgjithmonshmërinë.

Por thjeshtë, na japin mundësi të kuptojmë se çdonjëri nga ne, veçanërisht, të zgjedhurit të lindin të “pavdekshëm”, janë tokësor aq sa janë edhe qiellor. Shpesh fama dhe gjenialiteti i tyre ka shërbyer si një koracë mbrojtëse e padepërtueshme dhe kjo i ka lënë ata të qetë në gjumin e përjetësisë. Por vjen koha kur njeriu i zakonshëm kërkon të ngjashmen e tyre edhe tek njerëzit e jashtëzakonshëm, qofshin këta artistë, borrështetas, ushtarakë, eksploratorë apo edhe pretendues të froneve hyjnore.

Por kur lindi ai, Ludwig van Beethoven?

Ludwig van Beethoven ka lindur në Bon më 15, 16 apo 17 Dhjetor? Burime të ndryshme nuk ofrojnë sigurinë e datës së saktë, kur u lind kompozitori i madh. Por bien dakord për 17 dhjetorin 1770, datën e pagëzimit. Fëmija çudibërës, i’u nënshtrua një disipline të rreptë, e cila, siç ndodh shpesh me mrekullitë e fëmijëve, i kushtëzoi moshën dhe tërë jetën.

Përbindësh i talentit … dhe jo vetëm .

Ludwig van Beethoven arriti të vendoste veten si një nga artistët më të mëdhenj të kohërave,  pavarësisht të metave të tij të karakterit. Ai kurrë nuk kishte qenë një bukurosh. Në fëmijëri atë e quanin Der Spagnol (Spanjisht), për shkak të fytyrës së tij të ullinjtë. Ishte shtatshkurtër, jo më shumë se një e gjashtëdhjetë e pesë metra i gjatë, i gjerë në shpatulla, me kokë të madhe dhe flokë të rrëmujshëm, dhëmbë të dalë, një hundë të vogël të rrumbullakosur, gjithashtu pështynte kudo. I ngathët në lëvizjet e tij, ai vazhdimisht rrëzohej dhe thyente objektet që prekte. Kurrë nuk mësoi të kërcejë, dhe gjithmonë e priste veten gjatë rruajtjes.

Kalitja

Ai ishte i zymtë dhe i dyshimtë, i ndjeshëm, mizantrop dhe i fiksuar në atë se të gjithë donin ta mashtronin. Shquhej për një sjellje jo të mirë dhe ishte aspak tërheqës. Ai gjithmonë harronte gjithçka. Kishte zemërime të pakuptimta dhe nganjëherë kishte marrëdhënie korrektësie të dyshimtë me botuesit. Një beqar i përjetshëm. Jetoi në një konfuzion të papërshkrueshëm, veçanërisht pasi nuk kishte asnjë shërbëtor të gatshëm të toleronte nervozizmin e tij.

Muzika i dilte nga zemra

Gjithmonë është spekuluar për sëmundjet e shumta që kompozitori kishte vuajtur që në rini, nga astma në sindromën e zorrëve të irrituar, nga sëmundja e veshkave deri te ciroza e mëlçisë. Dhe historianët kanë pyetur gjithashtu se si sëmundjet fizike të muzikantit, mund të kishin ndikuar në artin e tij. Hipoteza e 3 studiuesve është se ritmet e disa prej kompozimeve të tij më të famshme dhe prekëse, do të ndikoheshin thellësisht nga aritmitë kardiake, nga të cilat ndoshta vuante kompozitori.

Ai ishte vërtet i shurdhër?

Tashmë në të tridhjetat, ai deklaroi se kishte vështirësi të kuptonte fjalët e një personi që fliste me zë të ulët. Për të dëgjuar aktorët në teatër, ai u detyrua të afrohej me orkestrën. Megjithatë, shurdhimi në rritje, e degdisi atë në një gjendje të thellë depresive, e cila në vitin 1802 e çoi në një tentativë për vetëvrasje. Për shkak të problemeve të dëgjimit, Beethoven u izolua në mënyrë progresive nga njerëzit përreth tij, duke kompromentuar shumë marrëdhënie shoqërore dhe emocionale. Në vitin 1819, tetë vjet para vdekjes së tij, ai ishte plotësisht i shurdhër. Pavarësisht kësaj, Beethoven vazhdoi të kompozonte: E famshja Simfonia e Nëntë me Odën e Gëzimit, u shkruan në vitin 1824, duke sjellë jo një muzikë dëgjimi se sa një shpërthim shpirti.

Gjeniu dhe rregullsia

Gazetari amerikan, Mason Midnight Currey mblodhi detaje biografike të 168 artistëve, duke treguar se të gjithë, madje edhe ata që konsideroheshin të pabindur dhe instiktivë, ndoqën një program specifik. Stili i jetës së Ludwig van Beethoven, veçanërisht vitet e fundit, ishte shumë i rregullt. Por në periudha të tjera, Beethoven kompozonte madje deri në dy të mëngjesit. Gjithmonë duke ndjekur një orar të rreptë.

Gjeni falë sifilizit?

Sipas studiuesit, Deborah Hayden, sifiliz, prej të cilit shumë personazhe në histori ishin prekur ndoshta, nga Abraham Lincoln te Friedrich Nietzsche dhe Oscar Wilde, mund të shpjegonte gjenialitetin ose çmendurinë e tyre. Euforia sifilitike mund të ketë amplifikuar gjenialitetin krijues të Ludwig van Beethoven dhe të shumë personazheve të tjerë të cilët, si ai, ishin prekur nga e ashtuquajtura sëmundje franceze. Teza, e përfshirë në një libër nga Hayden, nuk është konfirmuar kurrë. Sidoqoftë, studime të tjera tregojnë se Beethoven vuante nga çrregullimi bipolar .

Ai nuk është një romantik

Beethoven ishte mendimtari më i frikshëm muzikor. Shumë kanë dashur të shohin tek ai urën midis periudhave klasike dhe romantike, por është vetëm një etiketë e përshtatshme, dhe jo shumë e saktë. Në realitet, ka shumë pak romantik në muzikën e tij. “Beethoven nuk fliste gjuhën e romantikëve”, shkroi Harold C. Schonberg . “Ai filloi të kompozonte në traditën klasike dhe më pas shkoi përtej kohës dhe hapësirës, ​​duke përdorur një gjuhë që ai vetë e kishte falsifikuar. Një gjuhë e ngjeshur, enigmatike dhe shpërthyese, e shprehur në forma të sajuara prej tij”.

Revolucionar

Karakteristikë që e dallonte Beethoven nga të gjithë muzikantët e tjerë që i paraprinë, përveç gjenialitetit dhe forcës së tij të pakonkurrueshme, ishte ajo që ai e konsideronte veten artist dhe mbronte të drejtat e tij si artist. Ai ishte një artist, një krijues, dhe për këtë arsye ishte superior ndaj mbretërve dhe fisnikëve. Ai kishte një konceptim revolucionar të shoqërisë dhe ide romantike rreth muzikës. “Ajo që kam në zemrën time duhet të dalë dhe kështu e shkruaj”, i tha ai dishepullit Carl Czerny. Mozart nuk do ta kishte ëndërruar kurrë të thoshte një gjë të tillë, as Haydn apo Bach.

Vdiq nga plumbi?

Në të vërtetë jo. Për disa ishte faji i një vaji të njomur, pas një operacioni kirurgjikal. Për të tjerët, nga një kupë prej së cilës piu kompozitori. Cilado qoftë, përqendrimi i lartë i plumbit që gjendet në trupin e Beethoven shpesh është përmendur si shkaku kryesor i vdekjes së tij në moshën 56-vjeçare. Për të ushqyer edhe më shumë teorinë e vdekjes nga plumbi në gjak, u aludua se përqindja e lartë e këtij vrasësi i shkaktoi atij nervozizëm. Për studiuesit nuk ishte as e re as e panjohur, nervozizmi dhe temperamenti shpërthyes i kompozitorit, bllokimi i veshkave dhe mëlçisë, simptoma që iu shfaqën gjithnjë e më agresive, duke i dëmtuar cilësinë e jetës muzikantit në fundin e jetës. Sidoqoftë, kërkimet nga shkolla e mjekësisë, Mount Sinai në New York, i kanë hedhur poshtë këto hipoteza. Analiza e niveleve të plumbit në kockat e kompozitorit, gjeti një përqendrim shumë të ulët, që të ishte shkaktari i helmimt me pasojë vdekjeje të gjeniut të muzikës. /focus/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme