“The King’s Singer”, nga Anglia në Prishtinë për të sjell një mbrëmje fantastike për publikun

9 Tetor, 2019 - 11:00 am

Qendrim Badalli

Ora shënonte 20:10 kur po mbusheshin edhe karriget e fundit në sallën e Katedrales në Prishtinë. Siç e do zakoni, u kërkua që të ndaleshin telefonat. Qetësia duhej të ruhej. Aty do të performonin gjashtë anëtarë të “The King’s Singer” nga Anglia, të cili kishin ardhur në Kosovë në kuadër të Festivalit “Privocal Fest 2019”, shkruan KultPlus.com

Dritat u fikën e qetësia po mbizotëronte. “Mirëmbrëma, është shumë mirë të jesh në Prishtinë”, tha jo me pak vështirësi njëri nga gjashtë anëtarët e këtij grupi. Meqë aq dinte shqip, pjesën tjetër e vazhdoi në gjuhën angleze për të treguar shkurt rreth tyre dhe rreth raportuarit që kishin përgatitur.

Për rreth gati dy orë, ata dhanë një paraqitje që u vlerësua lartë nga të pranishmit aty. Duartrokitjet ishin të shpeshta e të gjata, teksa edhe batutat e tyre nuk ishin aq të rralla.  “The story of Harmony”, “Poor Roger”, “Then and Now”, ishin disa nga pjesët që ata i paraqitën me kujdes e plotë emocione para publikut në sallë.


Hajrullah Syla, organizatori i këtij festivali, e ka quajtur fantastike mbrëmjen e djeshme. Ai tha se ky formacion ka sjell emocione unike në sallë.

“Thjesht ishte një natë fantastike. Ky ansambël, që nuk e kemi zbuluar ne por që njihet në të gjithë botën, me të vërtetë sollën emocione të veçanta dhe kjo u pa edhe nga mikpritja e publikut”.

Tutje, ai ka thënë se për këtë përbërje është harxhuar 80% e buxhetit, teksa shpreson se në edicionet e radhës të ketë rritje të mbështetjes financiare për ta.

“Është mund shumë i madh dhe kushtet e sponsorizuesit janë të paktë. Shpresojmë që me kohë do të kemi një mbështetje më të madhe nga sponsorët si dhe nga Ministria e Kulturës e Komuna e Prishtinës. Për këtë ansambël janë shpenzuar pothuajse 80% e buxhetit tonë.”

Tenori, Luan Durmishi,  e ka vlerësuar lartë performancën e tyre, duke thënë se ata ishin “për të marrë mësimi”.

“Ky është një formacion jashtëzakonisht i famshëm në botë. Ajo çfarë më bëri përshtypje, është se ata janë të çliruar totalisht nga mendësia provincial, këta çdo muzikë të bukur e fusin në repertoarin e tyre, kështu që ne së pari duhet të marrim mësim nga kjo”.

Ai ka thënë se ata ishin jashtëzakonisht profesional, teksa mendja i kishte mbetur tek çlirimi trupor që ata kishin gjatë performancës.

“Nëse flasim nga ana profesionale, unë dua të hyj pak në atantomin dhe antropologjinë e turpit. Ata ishin totalisht të çliruar nga presionet e strukturës kompozicionale, ishin jashtëzakonisht profesional”.

Jonathan Howard, njëri nga anëtarët e grupit, teksa tha se ishte një natë e mrekullueshme, ai shtoi se repertoari ishte zgjedhur me kujdes dhe për të gjithë publikun.

“Reporteri ishte zgjedhur me muzikë nga e gjithë bota, donim që kjo mbrëmje të ishte për të gjithë”.

Nesër do të vazhdojë edhe mbrëmja e tretë dhe e fundit e këtij festivali ndërkombëtar që solli në Kosovë emra eminent të muzikës klasike. / KultPlus.com

Të ngjajshme