“Tingujt e Flautit” si triumf ndaj heshtjes, këtë të mërkurë sjell koncert me dy instrumentistë të njohur çekë

3 Shkurt, 2019 - 5:27 pm

Gili Hoxhaj

Tingujt e flautit, tash e disa vite kanë një shtëpi në Prishtinë. Atë e kanë gjetur përmes festivalit “Tingujt e flautit-Ritualet vjetore” që këtë fillmvit ngjalli një përjetim të veçantë muzikor përmes tingujve të flautit nga flautisti virtuoz nga Turqia, Bylent Evcil, e që koncerti u rrugëtoi nën komandën e dirigjentes franceze Nathalie Marin.

Koncerti pikën kryesor e pati në veprën “Mag Hyllue”, nga kompozitori Liburn Jupolli,  interpretuar ai në piano, nga Erëmira Citaku në flaut dhe përcjellë nga Shaqir Hoti në kavall. Kjo vepër erdhi si dedikim i Ushtrisë së Kosovës, dhe si e tillë ajo depërtoi si marsh orkestral për të shpërfaqur simbolin e forcës, përpjekjes, dritës dhe mbrojtjes. Ky koncert tek publiku erdhi në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës dhe Ambasadën Franceze.

Analiza e filozofit francez Jacques Attali mbi veprën  e piktorit Brueghel, e kishte nxjerrë atë në një përfundim se  ‘janë dy organizime sociale të socialitetit: njëri është norma e tjetri është festivali’. Mbi këtë përfundim të tij, filloi edhe tërë festivalit “Tingujt e Falutit”. Sipas festivalit, porfana muzikore kuptohet vetëm në ritual ku muzika është ‘rendi fragjil i ritualit dhe lutjes dhe është rendi në kufirin e shansit” (Jacques Attali). Në të njëjtën frymë, u hap e po vazhdon festivali që mund të përmblidhet si triumf i tij ndaj heshtjes.

Drejtoresha e festivalit, Erëmira Çitaku ka thënë për KultPlus se deri tani janë të kënaqur me rrjedhën e festivalit, i cili është festival  ndërkombëtar bienal që ka filluar rrugën e tij në vitin 2002. Ajo tha se ndër vite i kanë kushtuar fokus të veçantë programit, ku janë munduar të përzgjedhin vepra më atraktive.

“Ky është një festival i fokusuar ne flaut dhe përmes tij, ne vazhdimisht jemi mundur që të bëjmë programe që zgjojnë interesim te publiku dhe muzikantët”, theksoi Çitaku.

Ajo tha se veçantia e këtij edicioni është konkursi i parë  për vepra të shkruara për flaut dhe harfë, udhëhequr nga Dafina Zeqiri.

“Në konkurs janë paraqitur 80 vepra nga kompozitorë prej mbarë botës, dhe ne kemi zgjedhur disa nga këto vepra t’i luajmë gjatë festivalit”, ka treguar Çitaku.

Amfiteatri i Ri i Bibliotekës së Universitetit të Prishtinë ka dështuar të jetë nikoqir i këtij festivali, për shkak të probleme me ngrohje, gjë që ka bërë që instrumentistët ta zhvendosin lojën e tyre në objektin e Filharmonisë së Kosovës, në sallën ku instrumentistët e këtij institucioni mbajnë provat për koncerte. Në këtë lokacion, këtë të mërkurë do të vijnë dy instrumentistë me nam nga Çekia, prej nga do të prezantojnë programin e tyre me vepra të kompozitorëve të njohur: Joseph Haydn, Franz Benda, Fryderyk Chopin, Claude Debussy, Leoš Janáček, dhe Eldin Burton.

Mario Mesany i cili do të interpretojë në flaut, është një muzikant, performues i mirënjohur në Republikën Çeke dhe në Evropën Qendrore. Qysh prej vitit 1993 ai është profesor në Konzervatoriumin Jaroslav Jažek, ku gjithashtu drejton seksionin e instrumenteve frymore. Nga viti 2016 ligjëron në Akademinë e Arteve Performuese në Pragë. Aktivitete artistike të Marios përfshijnë performimin me orkestra të ndryshme simfonike dhe kamerale. Krahas flautistit Mesany, para publikut të Prishtinës në piano do të luaj pianisti Ivo Kahánek, i cili me hapa të shpejt po fiton reputacion si njëri nga pianistët më entuziast të brezit të tij. Ai fitoi garën muzikore internacionale pranverore në Pragë në vitin 2004 dhe fitoi çmime në gara të tjera ndërkombëtare për piano. Ai gjithashtu performon rregullisht me Orkestrën Filharmonike Çeke dhe ka pasur debutime shumë të vlerësuara me Orkestrën Simfonike Skoceze të BBC-së në Glasgoë. Ai ka të publikuara 6 CD.

Përveç koncerteve, në kuadër të festivalit mbahen edhe masterklase me studentët e muzikës në Fakultetin e Arteve. Drejtoresha e Festivalit,  Erëmira Çitaku  e cila është edhe ligjëruese në Fakultetin e Arteve, e ka cilësuar ardhjen e instrumentistëve të huaj si shumë të rëndësishme  për shkëmbimin e përvojave profesionale me studentët dhe profesorët e këtij fakulteti.

“Dy artistët që vijnë nga Çekia përveç bagazhit artistike performues janë edhe profesorë në Universitetin Hamu të Arteve në Pragë andaj ky është edhe një rast i mirë i shkëmbimit të përvojave profesionale universitare me studentët dhe profesorët tanë. Mendoj se është e rëndësishme te krijohet një vazhdimësi e bashkëpunimit, posaçërisht e atyre artistëve që janë  edhe përfaqësues te institucioneve universitare sepse krijon një mundësi zhvillimi në shumë aspekte më të gjera intelektuale arsimore”, ka thënë Çitaku  për KultPlus.

Koncerti me instrumentistët çekë do të mbahet më 6 shkurt, këtë të mërkurë duke filluar nga ora 20:00 në sallën e Filharmonisë së Kosovës. Duke qenë se vendi është i limituar, kërkohet që  rezervim paraprak në emailin: [email protected]  /KultPlus.com

Të ngjajshme