Tingujt e Valton Beqirit në “World Peace Concert in Vienna 2017”

19 Shtator, 2017 - 10:30 am

Kompozitori Valton Beqiri do të prezantohet sot në Vjenë me anë të krijimtarisë së tij në kuadër të koncertit solemn “World Peace Concert in Vienna 2017”, shkruan KultPlus.

Ky koncert shënon 10 vjetorin e themelimit të orkestrës kamertale ballkanike dhe do të realizohet nën drejtimin e dirigjentit japonez Toshio Yanagisawa.

Në këtë koncert solist do të jetë pianisti francez Pacal Roge dhe krahas veprave të kompozitorëve të periudhës romantike si Camille Saint-Saëns dhe Pyotr Ilyich Tchaikovsky si dhe kompozitorit japonez Kaoru Wada, pjesë e pandarë e repertorit të kësaj orkestre është bërë edhe opusi krijues i kompozitorit të mirënjohur Valton Beqiri.

E rëndësishme është vepra “Shpirti i traditës” për orkestër harkore dhe perkusione e cila interpretohet nga kjo orkestër në vende të ndryshme të botës që nga viti 2010 dhe sot njihet si himni i orkestrës kamerale ballkanike dhe njëkohësisht e cilësuar promovimi më i mirë i trashëgimisë tonë kulturore. Është vepër programore e ndarë në katër kohë ku secila përmban dhe titullin ku me anë të tingujve muzikor na japin pasqyrimin e plotë të historisë tonë.

Kjo vepër sot njihet si vepra më e interpretuar në arenën ndërkombëtare nëse krahasojmë prezantimin e krijimtarisë së kompozitorëve të tjerë shqiptarë të muzikës artistike në vitet e fundit. Beqiri krahas me veprën e sipërpërmendur në këtë koncert prezantohet edhe si orkestrues i veprës “Kanki-no-Uta” (premierë botërore) mbi temën e kompozitorit dhe këngëtarit shumë të njohur japonez Koji Tamaki.
Valton Beqiri njihet për afinitetin e tij të pashoq në muzikë dhe sa i përket stilit krijues ai sado të jetë impresionist e ekspresionist (stilistikisht) rëndësi të madhe i kushton përdorimit të motiveve tona folklorike duke i shkrirë e bashkëdyzuar ato në invencionin e tij krijues.

Koncerti mbahet sonte në Wienner Konzerthaus Mozart-saal duke filluar në orën 19:30. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme