Tre artistë shqiptarë nga Konservatori i Vjenës në ‘Pianodrom’

20 Dhjetor, 2021 - 11:02 pm

Laureati i mbi 40 çmimeve ndërkombëtare muzikore, Kosti Deti dhe dy artiste të talentuara të violinës e pianos, Janela Nini dhe Kristi Hifzi do të performojnë nesër në Tiranë, në sallën “Tonin Harapi”, në një koncert në prag të Krishtlindjeve që sjell atmosferën vjeneze në kryeqytetin shqiptar.

Koncerti i cili duhej të mbahej më 14 dhjetor u anulua në Vjenë për shkak të masave të reja kufizuese të pandemisë dhe vjen të martën e 21 dhjetorit në Tiranë, si pjesë e formatit “Pianodrom” që sjell Vjenën në Tiranë në prag  të Krishtlindjeve e Vitit të Ri.

Koncerti është riskeduluar për t’u shfaqur në Vjenë më 8 mars, por publiku shqiptar do të ketë mundësinë ta ndjekë atë në Tiranë.

Kosti Deti është laureat i Artë i mbi 40 çmimeve ndërkombëtare, 10 nga të cilat i ka vetëm në vitin 2021. Kompozitori Aleksandër Peçi e përshkruan si artist që magjeps, që hipnotizon publikun. Bashkë me të, performojnë edhe dy artiste nga konservatori i Vjenës, dy nimfa të violinës e pianos, Janela Nini dhe Kristi Hifzi.

Koncerti pritet të sjellë super atmosferë me super instrumentistë në prag të Krishtlindjeve ku publiku mund të shohë sesi artistët shqiptarë janë maturuar në vitet e tyre të studimit dhe performancave jashtë vendit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme