Tri konkurrente në garë për çmimin special të festivalit Chopin Piano Fest

28 Qershor, 2021 - 3:50 pm

Era Berisha

Intepretueset si: Elsa Gashi, Lisa Sahatqiu dhe Melisa Ibrahimi, sot performuan para një jurie profesioniste që përfshiu pianisten Ardita Statovci dhe Zoya Shuhatovich, me ç’rast ato konkurruan për çmimin special të festivalit pianistik Chopin Piano Fest Prishtina, një çmim ky tradicional që i ndahet një pianisti apo pianisteje të re, shkruan KultPlus.

Fillimisht, ajo që doli e para për të performuar ishte Elsa Gashi, e cila kishte përzgjedhur vepra të kompozitorëve botërorë dhe shqiptar si: J.B.Cramer, L.V.Beethoven, J.S.Bach, F.Chopin, Feim Ibrahimi, F.Mendelssohn dhe R.Schumann. Pastaj, kompozitorët e përzgjedhur nga Lisa Sahatqiu ishin: J.Brahms, R.Schumann, L.V.Beethoven, F.Chopin, C.Debussy dhe Liszt, dhe në fund kompozitorët e zgjedhur nga Melisa Ibrahimi, ishin: Chopin, Scriabin, Beethoven dhe Liszt.

Të trija këto pianiste që dolën në skenë me një qëndrim të jashtëzakonshëm e tejet inspirues për gjeneratat edhe më të reja, dëshmuan dhe shpalosën talentin e tyre në performimin pianistik përmendësh ku secila nga to solli elemente tejet unike, përmes së cilave dallohej edhe dashuria e përkushtimi i madh ndaj melodive, tingujve dhe instrumentit bardh e zi që vazhdimisht pushtohej nga butësia e vrazhdësia e prekjeve nga gishtërinjtë e këtyre vajzave, të cilat para jurisë profesionale sollën vepra fantastike duke filluar nga tingujt më të butë e deri tek ato që dilnin jashtë kontrollit.

Ky çmim special pritet të ndahet në natën e fundit të Chopin Piano Fest, pra me datë 30 qershor në amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare me mbështetjen e Herbert Groeger nga Bad Honnef-Salzburg, në bashkëpunim me pianisten Ardita Statovci, e cila ishte iniciatore për organizimin e këtij çmimi special në vitin 2017.

Të drejtë pjesëmarrjeje në këtë audicion kanë pasur studentët e pianos së Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe nxënësit e pianos së shkollave të muzikës të Kosovës, fitues të çmimeve në gara paraprake, të cilët në repertorin e tyre kanë të përgatitur një program në kohëzgjatje prej 60 minutash, nga e cila kohë 45min janë performuar në këtë audicion me vepra të Beethoven (Sonata, Variacione, Bagatella) ose një vepër nga R. Schuman.

Në këtë edicion, çmimi special i Chopin Piano Fest përfshin:
Një koncert recital në vendet gjermanofolëse Gjermani ose Austri;
Masterklasë;
Vizitë në vendet historike me rëndësi muzikore historike në një prej qyteteve në vendet gjermanofolës;
Njohje me kulturën e regjionit të përcaktuar gjermanofolës.
Të gjitha shpenzimet janë të mbuluara nga sponsori i Çmimit Special. / KultPlus.com

Të ngjajshme