“Trio Osmanaj” shënoi Ditën Botërore të Muzikës me vepra shqiptare në Zvicër

24 Qershor, 2018 - 12:30 pm

Alberina Haxhijaj

Në ambientet e përshtatshme për koncerte, të kishës katolike “St. Peter dhe Paul” në qendër të kryeqytetit helvetik, grupi “Trio Osmanaj”, ka shfaqur një koncert me muzikë klasike shqiptare, të enjten, shkruan KultPlus.

Koncerti është organizuar nga ambasada e Republikës së Kosovës në Bern, në kuadër të programit për diplomacinë publike, për të shënuar Ditën Botërore të Muzikës.

Në emër të ambasadës dhe ambasadores Nazane Breca, Ministri-Këshilltar, Mustafë Xhemaili, i përshëndeti të pranishmit që kishin ardhur nga ambasadat e ndryshme si dhe mërgimtaret shqiptarët të pranishëm, dashamirësit e muzikës klasike.

“21 qershori, është Dita Botërore e Muzikës. Si gjithkund në botë, edhe në Kosovë, mbahen koncerte të ndryshme për të gjitha moshat. Sonte ‘Trio Osmanaj’ ka ardhur nga kryeqyteti i Kosovës dhe bashkë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, kanë organizuar këtë koncert. ‘Trio Osmanaj’ përbëhet nga vëllezërit Osmanaj, që janë nga Prishtina, muzicientë të njohur, virtuoz në instrumente, që interpretojnë dhe kultivojnë muzikën klasike shqiptare”, u shpreh Mustafë Xhemaili gjatë prezantimit të instrumentistëve.

Tutje ai theksoi se ajo që ka më së shumti rëndësi është së tani grupe muzikore të zhanreve të ndryshme, zhvillojnë aktivitetet e tyre muzikore lirshëm në Republikën e Kosovës. Grupe, me dashuri të madhe për muzikën, që rriten dhe zhvillohen nën kujdesin profesional të ekspertëve.

Pas fjalës së tij Fidan Osmanaj në klarinetë, Dardan Osmanaj në violinë dhe Shkodran Osmanaj në kontrabas, interpretuan para të pranishmëve vepra të ndryshme të muzikës klasike shqiptare që me shekuj është zhvilluar në Ballkan.

Kështu “Trio Osmanaj” solli në këtë mbrëmje muzikë nga Kosova, Shqipëria e Mesme dhe nga Shkodra, një qytet shumë i lashtë e me tradita muzikore në Shqipërinë veriore.

Me koncertin e tyre 60 minutash, “Trio Osmanaj” shënuan Ditën Botërore të Muzikës dhe bënë që muzika shqiptare të dëgjohej në këtë festë, krahas muzikës së më shumë se 120 shteteve që e shënojnë këtë ditë. / KultPlus.com

Të ngjajshme