Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Donika Rudi

8 Mars, 2022 - 6:10 pm

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

KultPlus ua sjell në vazhdim kompozitoren e specializuar në muzikën elektroakustike dhe akusmatike, Donika Rudi.

Në kuadër të Festivalit Festival Viva Cité i cili shënoi edicionin e 32-të të tij në Francë, kompozitorja dhe drejtoresha e Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘ReMusica’, performoi tri koncerte autoriale duke interpretuar disa nga veprat e saj akusmatike.

Po ashtu, kompozitorja shqiptare Donika Rudi, është bërë pjesë e “Pergine Festival” në Itali ku zyrtarisht nisi puna e saj si hulumtuese në kuadër të ‘In Situ’, platformë kjo evropiane për krijime artistike në hapësira publike, lidhur me impaktin e muzikës akusmatike tek komuniteti i shurdhër.

Ajo ka performuar me projektin e saj të fundit “Të ndjesh / Të dëgjosh” në edicionin e 46-të të “Pergine Festival”, qyteti i Trentos, Itali.

Ndërsa, përveç punëtorisë “Sentire / Ascoltare”, që Donika zhvilloi lidhur me teknikat e përjetimit të tingujve me anë të prekjes dhe vibrimeve por edhe metodave tjera kryesisht “spaciale”, ajo interpretoi disa nga veprat e saj në oktofoni dhe së bashku me publikun eksploroi eksperienca të tjera të përjetimit dhe dëgjimit të muzikës.

Gjithashtu, portali italian “Scene Contemporanee”, i pati dedikuar një shkrim interpretimit të artistes shqiptare, duke vlerësuar lartë artin e saj. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme