Vajzat shqiptare pushtojnë skenën e MTV-së

28 Gusht, 2020 - 5:39 pm

Të flitet për sukseset e vajzave shqiptare është bërë mëse e zakonshme. Rita Ora, Ava Max, Dua Lipa e Bebe Rexha, tashmë kanë vendosur një vulë të madhe në muzikën ndërkombëtare, ku secila prej tyre numëron me miliona fansa, shkruan KultPlus.

Vajzat shqiptare, kësaj radhe do të pushtojnë skenën e MTV Video Music Awards, njëra si prezantuese dhe dy të tjera të nominuara në këtë event që konsiderohet tejet i rëndësishëm në botën e muzikës.

Ava Max konkurron për çmimin “Artistja depërtuese e vitit”, ndërsa Dua Lipa është e nominuar gjithsej në katër kategori: “Regjia më e mirë”, “Koreografia më e mirë”, “Editimi më i mirë” dhe “Efektet vizuele më të mira”.

Por këtë vit shfaqjes i bashkohet edhe një tjetër shqiptare, Bebe Rexha. Artistja 30-vjeçare ka bërë së fundmi të ditur përmes rrjeteve sociale se do të jetë një nga të ftuarat speciale të mbrëmjes, për të prezantuar një çmim ose një performancë.

Vitin e kaluar Bebe Rexha fitoi një çmim VMA për kategorinë “Kënga më e mirë ritmike”, për këngën “Call you mine” në bashkëpunim me The Chainsmokers.

Ajo është shqiptarja e dytë që e fiton këtë çmim pas Rita Orës, e cila fitoi një çmim MTV VMA në vitin 2018. / KultPlus.com

Të ngjajshme