Vargjet e Çajupit përjetësohen në këngën e re të kompozitorit Agron Elezi, kënduar nga Bashkim Kërqeli (VIDEO)

22 Gusht, 2022 - 11:30 pm

Në vazhdimësinë krijuese të kompozitorit të mirënjohur gjilanas Agron Elezi, kënga e radhës e publikuar më 16 gusht 2022 titullohet “Kënga e Mërgimtarit” ku interpretojnë: Bashkim Kërqeli – vokalist (i dyti nga e djathta në foto), Bekim Rexhepaj – saksafonist (i dyti nga e majta), Pajazit Morina – basist, dhe Agron Elezi – pianist (i pari nga e majta).

Miksimi dhe Masteringu është bërë nga Mentor Latifi (i pari nga e djathta) poashtu nga Gjilani.

Për këtë rast kompozitori deklaroi: “Të hysh në shpirtin e mërgimtarit është një përvojë sa ngjethëse aq edhe sfiduese, sa e përmallshme aq edhe trimërore, dhe këtë shpirt e kom ndje më së shumti sa isha me punë në Kandahar, Afganistan, ku edhe zënë fill notat e para të kangës. Mos t’harrojmë se shteti jonë fillestar është formuar falë mërgimtarëve, me punën e tyre plot sfida dhe rezistencë të paimagjinueshme. Në kohën më kritike të shtet-formimeve në Evropë, rilindasët tanë mërgimtarë dhanë kontributin qenësor në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Ata shënuan edhe heroizmin kryesor të formimit të shtetit zyrtar Shqiptar që vazhdimisht kanosej me zhdukje të tërësishme nga faqja e hartës Evropiane. Edhe sot, Kosova nuk do të ishte shtet pa ndihmën dhe kontributin e diasporës. Përkundër shtet-formimeve tona, programi i trysnisë politike dhe destabilizuese nga armiqtë shekullor, që copëtuan trojet shqiptare qysh herët, po vazhdon. Mërgimtarët tanë janë ata që akoma dhe vazhdimisht kontribuojnë si shpirtërisht, si materialisht në stabilizimin dhe mundësinë e zhvillimit sa më të shpejt të shteteve tona. Ata janë edhe kritikë qenësor kundrejt shkurtpamësisë së diplomatëve tanë naiv që bien shumë lehtë në grackat politike Serbe, Greke apo aleatëve të tyre.

Kjo kangë i kushtohet mu atyre – mërgimtarëve, mallit të tyre, dhe shpresës së pashuar të tyre për një mëmëdhe të fuqishme dhe stabile. Kënga fillon me vargjet e poetit tonë gjithashtu mërgimtar Andon Zako Çajupi.

Ndërsa vokalisti Bashkim Kërqeli deklaroi: “Ka qenë privilegj dhe kënaqësi e madhe për të punuar me Agronin, Bekimin, Pajkin dhe Mentorin. Atë qe e kam përjetuar përgjatë punës me ta, ka qenë një emocion dhe mrekulli e papërshkrueshme në artin e muzikës.”

Jam i bindur se kjo vepër do t’mbetet një “evergreen” këngë dhe do t’godasë fuqishëm në shpirtrat e mërgimtarëve tanë.

Nga Bekim Rexhepaj / KultPlus.com

Të ngjajshme