Vdes këngëtari Gaqo Çako

1 Gusht, 2018 - 10:28 pm

Është ndarë nga jeta këngëtari i njohur Gaqo Çako.

Mësohet se Çako ka ndërruar jetë mbrëmjen e 1 gushtit në moshën 83-vjeçare!

Gaqo Çako lindi më 24 janar 1935, është këngëtar shqiptar. Mban titullin Artist i Popullit.

Tenori legjendar, Gaqo Çako, Artist i Popullit, është i rreshtuar në emrat e mëdhenj të Panteonit të muzikës shqiptare si Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, etj.

Midis viteve 1957 dhe 1961 ai studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë. Përvoja dhe karriera e tij mjaft e pasur në operat “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj, e bëjnë atë me një karrierë të shkëlqyer.

Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias. Zëri i tij është kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohet e shfaqet, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh.

Përfshirja e tij në të gjitha llojet e muzikës vokale ka si qëllim të vetëm t’i kënaqë dëgjuesit me pjesët që ai këndon. Edhe pse vlerën më të madhe ai e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios./KultPlus.com

Të ngjajshme