Vdes Pharoah Sanders, legjenda amerikane e xhazit

25 Shtator, 2022 - 2:00 pm

Dua ta çoj publikun në një udhëtim shpirtëror, dua ta emocionoj dhe më pas ta qetësoj”, tha dikur, në një intervistë për ”San Francisco Chronicle”, Pharoah Sanders, saksofonisti legjendar amerikan i xhazit, i cili vdiq dje në moshën 81-vjeçare.

“Ai u largua në paqe, i rrethuar nga familja dhe miqtë e tij të dashur në Los Anxheles… Prehu në paqe”, shkroi në Twitter shtëpia e tij diskografike ”Luaka Bop”.

Një dishepull i Jonh Coltrane, një prej baballarëve të xhazit shpirtëror, Farrell Sanders (ky është emri i tij i vërtetë) u lind në vitin 1940 dhe u rrit në Little Rock, Arkansas, ku luajti në klarinetë në një grup shkolle.

Pas shkollës së mesme ai u transferua në Oakland, Kaliforni, ku u takua për herë të parë me Coltrane.

Duke u zhvendosur në Nju Jork në vitet 1960, ku punoi gjithashtu si kuzhinier, ai takoi Sun Ra (i cili do t’i jepte emrin Faroah) ndërsa gatuante në një klub në Greenwich Village.

Duke zbuluar talentin e tij muzikor, Sun Ra dhe Coltrane e regjistruan atë si një anëtar të grupit, në të cilin Sanders do të luante deri në vdekjen e John në 1967.

Ndër albumet e tij më të famshme janë “Karma” dhe “Jewels of Thought” (1969), ku ai hapi muzikën e tij ndaj ndikimeve afro dhe orientale.

Por, Sanders, karakteristik në vitet e tij të mëvonshme për mjekrën e gjatë të bardhë dhe kapelën, iu afrua gjithashtu pop-it, si në “Thembi” të vitit 1971.

Me albumin e vitit 1996 ”Message from Home” ai eksploroi ndikimet e Afrikës Subsahariane.

Në vitin 2021 u publikua albumi i tij i fundit, ”Promises”, i regjistruar dy vjet më parë me Orkestrën Simfonike të Londrës./ KultPlus.com

epa03803095 US saxophonist Pharoah Sanders performs on stage at the third day of the San Sebastian Jazz Festival, held at Trinidad Square, San Sebastian, Spain, 26 July 2013. EPA/JUAN HERRERO

Të ngjajshme