Vdes veterani i Ansamblit të Maqedonisë së Veriut, Hisen Berisha

13 Prill, 2024 - 9:00 pm

Sot ka vdekur veterani i  Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Maqedonisë së Veriu, Hisen Berisha.

Hiseni konsiderohet pioner i rrallë i valles shqipe, i cili nga një karrierë 40 vjeçare popullit shqiptar dhe trevave të Maqedonisë së Veriut i la trashëgimi me qindra valle, koreografi dhe aktivitete artistike.

Drejtori i Ansamblit Nacional të Këngëve e Valleve Popullore Shqiptare në RMV, Shkodran Tolaj ka shprehur ngushëllime, duke e cilësuar si humbje së madhe për komunitetin artistik vdekjen e veteranit të ansamblit.

“Baca Cenë, do të vazhdojë të jetojë me ne si shqiponjë dinjitoze e anëve të Pollogut që do të shpërndajë rreze drite e krenarie për foklorin e kulturën tonë! Sa herë do kaloj nga dera e Bacës Cenë apo edhe ta kujtoj atë, do marr forcë për të vazhduar misione të rëndësishme sepse me përkushtimin, sakrificat e sfidat 40 vjeçare në karrierën e tij ai u shëndërrua në modelin e përkryer për mua si artist dhe drejtues institucioni!”, është shprehur Tolaj.

Më poshtë mund të gjeni shkrimin e plotë të drejtorit Shkodran Tolaj:

Sot, paska ikur shqiponja e valles shqipe nga Pollogu, HISEN BERISHA – BACA CENË në fluturimin e tij të fundit – pakthim

Në mitologji besohej se shqiponja është shpend i dritës dhe emancipimit që simbolizon diellin, lartësitë, thellësitë, ajrin dhe dritën!

Një shqiponjë e vërtetë e shqiptarëve në RMV, na la sot, në këtë ditë që për komunitetin artistik do të jetë ditë e humbjes së madhe!

Baca Cenë ishte simboli i valles shqipe, në veçanti shqiponja e Sharrit plak dhe bir besnik i Pollogut që e dashuronte me zemër vallen shqipe dhe atdheun pa kufinjë!

Baca Cenë, më priti disa herë në dhomën e tij “muze” ku kishte ndërtuar me duart e veta historinë shqiptare përmes fotografive që paraqisnin personalitete të rralla e momente të veçanta të tij, babait dhe familjes së fisme shqiptare- Berisha!

Baca Cenë ishte shqiptar i madh i cili më falte aq krenari sa herë e takoja!

Jam shumë i lumtur që amanetin e tij të parë për të vënë një valle burrash- kaçakë në skenë e realizuam me aq sukses dhe dy javë më parë në vizitën që i bëra pata mundësi të flas gjërë e gjatë për atë realizim dhe shumë plane e projekte të ansamblit!

Jam krenar që emri i Bacës Cenë, institucionalisht u shkrua me shkronja të arta duke hyrë në mesin e personaliteteve të rralla që morën “Medaljen e Ansamblit”! Në fakt kjo ishte më e pakta që ai e meritonte dhe jam i lumtur që e realizuam dhe ia dorëzuam sa ishte pranë nesh fizikisht, dy javë më parë, me 28 mars 2024!

Ndonëse i rënduar nga shëndeti, dera e tij u hap me po të njejtën dashuri! Amaneti i tij i fundit ishte “ mos harrohen traditat kombëtare e legjendare shqiptare”! Ky amanet më jep përgjegjësi të madhe që puna, vizioni, dashuria e gjithë sakrifica e bacës Cenë për folklorin e vlerat tona të kapitalizohet dhe mbi atë bazë të ecim përpara që të mos i mbulojë pluhuri i harresës vlerat që kultivoi baca Cenë!

Jam tejet i indinjuar teksa shkruaj këto fjali pas lajmit të kobshëm që mora familja e tij dhe njëkohësisht i privilegjuar që baca Cenë, në momentet e fundit kishte porositur familjarët që të më lajmërojnë personalisht që ai po na lë dhe në homazhet e nderimit për të do kishte dëshirë të jem dhe unë!

Baca Cenë, sot na la por jo edhe personaliteti i tij që do jetojë përjetësisht bashkë me qindra valle, koreografi dhe aktivitete që ia la trashëgimi popullit shqiptar dhe trevave të Maqedonisë së Veriut si pioner i rrallë i valles shqipe!

Baca Cenë, do të vazhdojë të jetojë me ne si shqiponjë dinjitoze e anëve të Pollogut që do të shpërndajë rreze drite e krenarie për foklorin e kulturën tonë!

Sa herë do kaloj nga dera e Bacës Cenë apo edhe ta kujtoj atë, do marr forcë për të vazhduar misione të rëndësishme sepse me përkushtimin, sakrificat e sfidat 40 vjeçare në karrierën e tij ai u shëndërrua në modelin e përkryer për mua si artist dhe drejtues institucioni!

Në emër të gjithë artistëve, administratës dhe bashkëpunëtorëve të Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV, shprehë ngushëllimet më të sinqerta për familjen e bacës Cenë dhe gjithë komunitetin artistik që humbën ikonën e këtyre trevave!

Të prehet në paqe trupi i bacës Cenë e të fluturojë përtej lartësive shpirti i tij që reflektonte e barte vetëm dashuri!

Lamtumirë- shqiponja e valleve shqipe të trevave tona!

Me përulje, dhembje dhe plot sinqeritet

Shkodran Tolaj- drejtor i Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV/KultPlus.com

Të ngjajshme