Veliaj pret artistët e muzikës popullore para koncertit të sotëm te Amfiteatri

11 Korrik, 2020 - 7:56 pm

Mbrëmjen e sotme, në orën 20:00, në Amfiteatrin e Tiranës do të mblidhen disa prej emrave më të mirë të muzikës popullore, për një koncert plot ritëm. Në skenë do të ngjiten artistët Gena, Fatmira Breçani, Irini Qirjako, Valbona Mema, Kozma Dushi, Liri Rasha dhe Vaske Curri. Pak orë para këtij koncerti, artistët u pritën në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ftoi qytetarët të marrin pjesë në këtë koncert festiv, por duke respektuar masat e distancimit për COVID-19.

“Jemi super-entuziastë që sot në darkë, tek Amfiteatri, do të kemi ajkën e muzikës së mirë shqiptare, në një koncert fantastik të titulluar: ‘Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë’. Një shprehje e vjetër thotë: Të gjitha rrugët të çojnë në Romë, sepse Roma ishte qendra e Perandorisë, kurse sot qendra e Perandorisë për zemrat, mendjet dhe energjinë tonë pozitive është Tirana. Ndaj, sot në orën 20:00, me kushtin e ruajtjes së distancës sociale dhe mbajtjen e higjienës, ju presim tek Amfiteatri i Liqenit të Tiranës. Ata që s’kanë mundësi të vijnë, mund ta ndjekin ose në televizor, ose në rrjetet sociale. Kemi nevojë të ruajmë shëndetin fizik, por kemi nevojë të ruajmë edhe shëndetin mendor, të kujtojmë më shumë muzikën, artin, kulturën, këngët e vallet tona, edhe si një lloj terapie, por edhe si një mënyrë fantastike për të rikuperuar dhe dalë më i fortë si komb, si shoqëri, nga kjo sfidë”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se Tirana, pavarësisht se kaloi shumë sfida të vështira, di gjithmonë që të ngrihet shpejt dhe më e fortë. “Kemi kaluar shumë sfida këtë vit, në 100-vjetorin e Tiranës, duke filluar nga tërmetet tek pandemia, por unë besoj se ky qytet është i suksesshëm sepse ngrihet shpejt sa herë që rrëzohet. U rrëzuam në këto sfida që patëm, ka ardhur koha të ngrihemi”, tha Veliaj.

Dy këngëtaret e dashura për publikun Irini Qirjako dhe Fatmira Breçani vlerësuan rikthimin e jetës artistike në kryeqytet. “Ishte një mrekulli e domosdoshmëri, sidomos ne artistët dhe publiku, e ka dëshiruar dhe e dëshiron shumë sepse nga gjithë këto halle që kaluam, nga tërmeti te pandemia, ushqimi shpirtëror është gjëja më e çmuar për njeriun, aq më bukur në atë amfiteatër që është bërë i mrekullueshëm”, u shpreh Qirajko.

“Bëftë hajër kryetari Erion Veliaj, që na mblodhi dhe na hapi dritën jeshile! Sonte do kënaqemi me këngët më të zgjedhura e më të bukura nga të gjitha krahinat e Shqipërisë”, tha këngëtarja Fatmira Breçani.

Teksa e cilësoi një surprizë të bukur ftesën e kryebashkiakut Veliaj për koncertin, këngëtari i njohur i muzikës përmetare, Vaskë Curri, tha se duke respektuar masat e distancimit, shqiptarët do ta kalojnë edhe këtë sfidë. “Edhe unë u befasova, kur më tha se do të bëjmë një koncert të madh tek Amfiteatri. Ejani të gjithë tiranasit, se këtu ka edhe shumë përmetarë, edhe nga jugu e veriu, që t’ia marrim këngës së bashku. Vetëm mbani distancat, që ta mposhtim këtë sëmundje të poshtër”, tha ai. /KultPlus.com

Të ngjajshme