Violinçelistja shqiptare performon në Parlamentin italian

21 Dhjetor, 2020 - 3:04 pm

Ajo është Giulia Deda, violinçelistja e cila së bashku me artistë të talentuar të Orkestrës së Harqeve të Konservatorit Santa Cecilia në Romë interpretoi në koncertin tradicional të Festës së Krishtlindjeve që çdo vit mbahet në Sallën e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian.

Violinçelistja shqiptare Giulia Deda-18 vjeç, bijë e një familje emigrantësh shqiptarë qysh e vogël ka shkëlqyer me talentin e saj duke u bërë fituese e disa çmimeve kombëtare për talentët e rinj. Ajo ka lindur në Romë e prej moshës 7 vjeçare studion muzikë, pasion që e ka trashëguar nga nëna e saj flautiste.

Në sallën e parlamentit italian violinçelistja shqiptare interpretoj si soliste pjesën muzikore “C’era una volta in America” të kompozitorit të madh italian Enio Morricone i cili u nda nga jeta vetëm pak kohë më parë.

Koncerti tradicional i Festës së Krishtlindjeve sivjet qe i pazakontë në Parlamentin Italian, pa spektatorë e deputetë në sallë, e u transmetua live nga Televizioni Publik Italian RAI.

Artistja shqiptare është pjesë e orkestrës së harqeve të Akademisë Santa Cecilia të Romës drejtuar nga Claudio Ferrara.

Artistët interpretuan në këtë koncert pjesë të kompozitorëve të mëdhenj si Vivalidi, Bethoven, Mozart një homazh dedikuar 100 vjetorit të lindjes së regjisorit italian Federico Fellini dhe të kompozitorit Enio Morrione.

Në hapjen e këtij koncerti aktori italian Luca Argentero, interpretoj një mesazh që ish Presidenti italian Carlo Azeglio Ciampi i ka dedikuar të rinjve, ndërsa Drejtoresha e orkestrës së kësaj Akademie Arti, Beatrice Venezi në fjalën e saj përshëndetëse u shpreh se “Italia është një vend i traditës, i krijimtarisë, i risisë e teknikës, një pasuri ndaj të cilit duhet kushtuar vëmendje, duhet njohur e ruajtur. Italia, tha ajo është një gjuhë që këndon.”

Artistët e rinj mes të cilëve dhe violinçelistja shqiptare u shprehën të nderuar që u përzgjodhën të jenë pjesë e këtij eventi artistik e në një moment kaq të vështirë që po kalon Italia./ Zhurnal/ KultPlus.com

Të ngjajshme